Mjeku Alimehmeti: Efektiviteti i vaksinave ka rënë por ja kur merr fund virusi

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ditën e sotme ka thënë se efektiviteti i vaksinave kundër Covid-19 ka rënë, ndërsa sipas tij vaksina është mjeti dhe këshilla numër 1 për t’u mbrojtur. Kjo sipas tij duket edhe tek rritja e rasteve pozitive ditët e fundit.

“Shifrat janë në rritje, duken qartë. E vështirë të bëjmë krahasimet me shtetet e tjera sepse kjo ka të bëjë shumë edhe me numrin e testeve. Ne kemi sot 1.5 % pozitivitetin e testit. Dy janë elementet kryesore që kanë ndikuar në uljen e kurbës së rasteve dhe vdekjeve në krahasim me një vit më parë: Imuniteti që kanë fituar personat që e kanë kaluar Covid-19 dhe vaksina. Me variantin Delta, efektiviteti i vaksinave ka rënë, por prapë ka efektivitet. Çdo variant që ka dalë nga virusi ka pasur transmetueshmëri më të lartë pra shtohet numri i popullatës që preket, por rrugës ka pasur një vdekshmëri më të ulët”,-ka thënë ai për Ora News.

Më tej, Alimehmeti është shprehur se varianti “Delta” është më pak i rëndë se “Alfa”.

“Po të krahasojmë Deltën me Alfën, Delta është më pak i rëndë, ndërkohë nga ana tjetër Alfa është më i rëndë se ai i Ëuhanit. Ne jemi duke shkuar drejt familjes së gripit sezonal, dhe presim që brenda rreth dy vitesh kjo histori të marrë fund. Po të kishim një vaksinë me efektivitet mbi 80% do ishim drejt fundit dhe me Deltën asnjë vaksinë nuk e ka këtë efektivitet. Dhe duhet të ishte vaksinuar 70% e popullatës.”