I nxehti i madh gjunjëzoi Shqipërinë në fund të qershorit/ Del parashikimi për muajin korrik: A do ulen temperaturat

Fundi i qershorit solli temperatura të larta, aspak të zakonta. Por sipas parashikimeve të motit, korriku do të ketë ulje temperaturash, duke i dhënë fund të nxehtit afrikan që përjetuam këto ditë.

Meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja tha se parashikohet një ulje temperaturash nga dita e nesërme, 1 korrik, deri më datë 6 korrik.

“Në fakt siç e theksuam qershori do të mbyllet me temperatura të larta, do të kemi temperatura deri në 40 gradë. Qarku i Beratit do e kalojë këtë vlerë. Do të jenë temperaturat më të larta, sepse korriku do të na lejojmë të marrim frymë. Kjo temperaturë do të tërhiqet gradualisht.

Në Maqedoninë e Veriut dhe Greqi pritet temperatura mbi 42 gradë. Ndërsa në Shqipëri [sot] do të jetë dita e fundit me këto temperatura. Do të ketë rënie me 2-3 gradë në mëngjes, dhe 1-2 gradë në darkë. Termometri do të zbresë në 32-33 gradë deri më datë 6 korrik. Muaji korrik parashikohet me temperatura 33 -35 gradë, do të kemi temperatura mbi 38 gradë në datat 7 dhe 8. E gjithë vija bregdetare do të jetë e favorshme për plazh, sepse temperaturat nuk do të jenë mbi 42 gradë siç janë regjistruar në fund të qershorit”.