Para pak çastesh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi doli në një deklaratë për mediat ku tregoi se edhe pse pësuan një humbje të tthellë, beteja e tyre do vazhdojë, ndërsa nuk harroi të falenderonte edhe presidentin Ilir Meta. Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar edhe vetë Meta i cili me anë të zëdhënësit të tij, Tedi Blushi, jep sinjalin e qartë se nuk do të japë dorëheqjen nga posti tij, ndërsa shton se në 24 Korrikun e vitit të ardhshëm do të rikthehet në LSI për të marrë kartën e anëtarësisë.
Gjitashtu Meta shprehet se LSI dhe mbështetësit e saj janë njerëz të sakrificës, dhe në këto zgjedhje janë përballur me të gjithë.
Tedi Blushi shkruan:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta falenderon Kryetaren e LSI, znj.Monika Kryemadhi për reflektimin e saj lidhur me lënien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore, që e mbifuqizuan pushtetin e Kryeministrit dhe i lehtësuan bërjen e shumë ligjeve korruptive me porosi dhe në interes vetëm të oligarkëve dhe blerjes së zgjedhjeve. Presidenti Meta vlerëson fushatën e ndershme dhe model të LSI dhe sidomos rreth 110 mijë qytetarët, të cilët i rezistuan presionit të mafies, bandave, diskriminimit mediatik, survejimit dhe presioneve policore. Presidenti Meta shpreh keqardhjen për tjetërsimin masiv të votave, por kjo ishte e pritshme, për më tepër, që nuk u morrën masat e duhura për parandalimin e këtij krimi të rëndë zgjedhor. Presidenti Meta në respekt të sakrificave për demokracinë, që ka bërë LSI, i njofton të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj se më 24 korrik 2022 do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI dhe do t’u bashkohet përpjekjeve të të rinjve dhe të rejave për Shqipërinë e Shqiptarëve.