Këngëtari, Rigels Rajku, i njohur edhe me emrin artistik Noizy, i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Bashkisë së Tiranës drejtuar bizneseve dhe kompanive të ndryshme private për të kontribuar me shërbime që do ofrohen falas apo me pagesë të reduktuar studentëve të Universiteteve të Tiranës nëpërmjet Kartës së Studentit.
“Illyrian Bloodline”, një nga kompanitë që ofron veshje autentike shqiptare, e reperit të njohur Noizy, iu bashkua kësaj nisme dhe të gjithë studentët që janë pajisur me kartë studenti do mund t’i përfitojnë produktet e saj me një ulje të konsiderueshme në çmim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi Noizyn për këtë angazhim, duke u bërë kështu një shembull pozitiv, se përveç muzikës, nuk harron të tregojë përgjegjshmëri sociale për shqetësimet apo nevojat që kanë studentët.
“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Noizy, ishte i pari që iu përgjigj thirrjes për bizneset private dhe i bashkohet uljeve që jepen me Kartën e Studentit. Përveç 40-50 shërbimeve të Qeverisë dhe Bashkisë, të ministrive të ndryshme, të Muzeve të Galerive, të Kinemave, “Illyrian Bloodline”, që është linja e modës e Noizy-t, do të japë deri në 30 përqind ulje për të gjithë studentët, që praktikisht e nxjerr komplet pa fitim kompaninë në shitjen e këtyre produkteve. Kjo është një mundësi fantastike, pasi kur je student, çdo qindarkë ndihmon”, u shpreh kryetari Veliaj.
Sipas kryetarit të Bashkisë, ky është një rast për t’u përgëzuar, pasi nuk ndodh shpesh që një i ri jep shembullin e tij për të rinjtë. “Besoj që japim edhe shembullin e një të riu që bën diçka për të rinjtë. Ne jemi mësuar që kompani të mëdha, apo të rriturit, bëjnë diçka për të rinjtë, dhe duket si një lloj kontributi i një brezi të vjetër për një brez të ri; ama, rrallë na ndodh që një i ri bën diçka për të rinjtë. Jam sot super i inkurajuar, jo vetëm nga gjesti i Noizy-t, s’ka asnjë detyrim, ai jeton në Durrës, kjo është për Kartën e Studentit të Tiranës, por kur një gjë bëhet me shpirt dhe bëhet vetëm nga pasioni dhe dëshira për të ndihmuar, japim një shembull fantastik për të gjithë. Besoj se fitimi më i madh është te zemrat e njerëzve, fansave të muzikës tënde”, thekson Veliaj.
Ndërkohë, këngëtari shqiptar, Noizy theksoi se ky ishte edhe qëllimi i tij, të bëjë diçka për të rinjtë. “Siç e dimë në Shqipëri nuk janë mundësitë shumë të mëdha, kështu që pse jo të ndihmojmë pak, sepse na jep Zoti në krah tjetër”, u shpreh Noizy.
Kryebashkiaku Veliaj shtoi se shpërndarja e Kartës së Studentit ka ecur me ritme shumë të mira, ndërsa studentët kanë shfrytëzuar lehtësitë e krijuara në aplikim dhe marrjen e këtij dokumenti në vetëm pak minuta. “Jemi në një fillim shumë të mbarë, do vazhdojmë ta shpërndajmë kartën deri në fund të korrikut, pra përpara se studentët të kthehen në shtëpi. Do kenë mundësi që t’i bëjnë këto blerje edhe gjatë gjithë verës, edhe në qytete të tjera. Pra, oferta vlen edhe për dyqanet në Durrës, apo edhe ato në Tiranë. Ndërkohë që, kur të kthehen në vjeshtë do të jetë e tërë gama, edhe ne do kemi ecur shumë me shërbimet tona, përfshi abonetë që do t’i porosisim aq sa është nevoja”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.