Ministria e Shëndetësisë jep lajmin e forte: Ata që e kanë kaluar koronavirusin nuk janë më si më parë

Disa ditë më parë noa solli seri dëshmish nga qytetarë në Tiranë dhe rrethe, të cilët tregonin se që prej kohës kur ishin infektuar me koronavirusin e ri Sars-Cov-2, këtu e disa muaj më parë, ende nuk janë shëruar.

Disa denonconin se nuk u është rikthyer shija dhe/ose nuhatja, të tjerë kanë treguar se edhe një vit pasi janë shëruar kanë plot simptoma, sidomos harresë, mungesë përqendrimi, lodhje të vazhdueshme, dhimbje trupore, etj.

Këto fakte janë kokëforta pavarësisht se autoritetet shëndetësore, dy javë pasi të infektuarit kanë kaluar kovidin i konsiderojnë të shëruar.

Por edhe për vetë autoritetet shëndetësore, e vërteta është ndryshe. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli pohoi në intervistë në Report Tv se një person i cili ka kaluar koronavirusin, nuk është më i njëjti, nuk është më si më parë.

Ajo u ndal në dy problematika. E para, pasojat në mushkëri që lë ky virus inteligjent.

E dyta, problemet që shkakton me pasoja pa afat për shëndetin mendor. Në këtë pikë ekspertja e njohur pranon se këto që po ndodhin dhe këto pasoja që lë kovidi, janë dëshmi e qartë se ky virus nuk mund të zbërthehet ende.

“Bota është akoma përpara të panjohurës. Që kovidi ndikon në shumë sisteme, sigurisht që ndikon. Dhe që lë pasoja, kjo gjë po shihet gjithnjë e më tepër. Ata, ato që e kanë kaluar nuk janë më si më parë, përjetojnë simptoma që duken që janë lidhur me kovidin sepse ka lënë shumë pasojë në shëndetin mendor dhe të frymëmarrjes.

Rakacolli përmendi në shëndetin mendor, pasoja të tilla si mjegullimi që u shkaktohet disa njerëzve në shikim, humbja e kujtesës afatshkurtër, mungesë përqendrimi ose humbje filli. Ajo tha se këto janë efekte direkte të koronavirusit të ri Sars-Cov-2.

Virusi infekton të paktën 150 mijë shqiptarë, por shumë ekspertë, përfshirë Akademia e Shkencave thonë se janë shumë më tepër, midis 1 milion e më tepër të infektuar. Nga shifra zyrtare 150 mijë, 2454 kanë humbur jetën. Të tjerët rezultojnë të shëruar.

Spitalet janë zbrazur, raste të reja ka fare pak dhe njerëzit janë relaksuar. Por mjekët në Shqipëri nuk po i gëzohen ende kësaj situate.

Po përse po ndodh kjo? Zv ministrja Rakacolli shpjegon: “Përballja me vuajtjet të lë me pasoja dhe mjekët nuk janë më njësoj, janë përballur me njerëz që shohin shpresën vetëm tek ti. Të fiken njerëz në duar nuk është gjë e vogël dhe nuk kalon pa pasoja në shpirtin tënd, akoma mjekët nuk mund t’i gëzohen kësaj situatë”, tha zv.ministrja.

Ndërsa shtoi: “Sistemi shëndetësor po i kthehet normalitet, janë mbyllur pavijonet në spitalet e tjera, po trajtohen vetëm në Infektiv, po pandemia nuk ka mbaruar, virusi vijon të jetë”.