Lajmi i mire.Del vendimi i ri/ Ja sa lekë do merrni nga shteti nëse do e kaloni koronavirusin

Nje lajm i mire vjen nga Këshilli i Ministrave ku ka miratuar rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19.

Paketa e barnave përbëhet nga dy skema trajtimi.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën e parë të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1650 lekë.

Ndërsa vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën e dytë të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 lekë.

Mjeku i familjes do të lëshojë recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

JA VENDIMI I FUNDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.

Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.

Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.