Policia ka ndëshkuar krushqit që u shfaqën duke kërcyer në mes të autostradës Lezhë-Mamurras. Uniformat blu bëjnë me dije se kanë proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve, që sipas policisë penguan lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera duke bllokuar rrugën me mjetet e tyre të përgatitura për një ceremonie martesore dhe prishën rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, kanë identifikuar dhe proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve, të cilët penguan lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera duke bllokuar rrugën me mjetet e tyre të përgatitura për një ceremonie martesore dhe prishën rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë bënë bllokimin e 4 automjeteve, si dhe proceduan administrativisht drejtuesit e tyre.
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar për disa momente lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera dhe duke prishur rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve.