E papritur/ Njëherë e një kohë s’na donin, tani deputetët grekë bëjnë thirrje: Hapni kufirin për shqiptarët

Greqia prej ditësh ka shtyrë afatin e hapjes së doganave me Shqipërinë, për shkak të situatës së Covid-19.

Deputetët e Demokracisë së Re të zonës së Follorinës dhe Kosturit, Janis Antoniadhis dhe Zisis Tsigalajas kanë kërkuar ditën e sotme që të shqyrtohet vendimi për hapjen e doganës së Kapshticës, Tre Urave dhe të Qafë Botës.

Në takimin e sotëm mes tyre dhe Sekretarit të Mbrojtjes Civile raportohet se është thënë që zv/ ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardhalias ka urdhëruar që përveç Kakavijës, të gjitha doganat e tjera me Shqipërinë të mos hapen deri në 30 qershor.

Sipas TV shtetëror ERT që publikoi fotografinë me takimin përkatës te dy deputetëve të zonës, aktualisht nuk ka dritë jeshile nga ana e Mbrojtjes Civile për hapjen e Kapshticës as për punëtorët shqiptarë, ndërsa në bisedën telefonike që kanë bërë dy deputetët me zv/ministrin i cili ndodhet në Rusi për vizitë, ai ka premtuar se për hapjen e kufijve për qëllime tregtare dhe biznesi, do të shqyrtohet çështja në ditët në vijim, për kompanitë specifike dhe tregtarët, të cilët kanë aktivitet eksporti dhe licenca të veçanta, raporton Top Channel.

Ndërkohë vazhdon përpjekja e deputetëve dhe e autoriteteve të zonës në takimet me zyrtarët e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, pasi ky shërbim nuk mundëson personel shtese për pikën e Kapshticës dhe për pikat e tjera dhe kjo cilësohet si një nga shkaqet që nuk hapen këto dogana.