E magjishme mes malesh, Sonila Meço publikon pamjet e vilës se saj

Statusi i moderatore:

“Në fshat gjen një energji të pashtershme natyre, blatimi me të mirat e saj arrin kulmin e mrekullisë krijuese. Dhe një pjesë e tyre nuk duan as mundimin më të vogël njerëzor për të ekzistuar të freskëta, të hajthshme, të shijshme e plot shëndet. Për politikë, reformë zgjedhore e në drejtësi jo e jo! As për borxh publik, as për hua marramendëse nga FMN, eurobonde, BB…për deputet zone, rryshfet, korrupsion e babëzi pushteti jo e jo.
Presin nga ne t’u gjejmë udhën drejt njeriut, për t’i shërbyer shëndetit, shijes e kënaqësisë së tij. Kush ka dëshirë, energji, përkushtim, mundësi ia sheh e ndjen dobinë, ama për kë nuk mundet për shumë arsye, nga mjetet, infrastruktura, mbështetja kjo udhë ndërpritet si një urë, që të mundëson jetën ndarë më dysh.

Në Dardhën tonë punojmë të tërë, mamaja e bashkëshortit tim, babai, tezja e tij, Drini, unë, vetë Amaris, kushërinjtë, pa përjashtim i përkushtohemi plehërimit organik, mbjelljes, prashitjes, ujitjes dhe gjithmonë në tryezën tonë prej bahçeve kemi prodhimin e tyre bio me mashurka, fasule, domate të varieteteve të ndryshme, karrota, panxhar të kuq, speca, qepë, dardha të pastra e shartuara me goricë, hudhra, kunguj, rukola, sallatë jeshile, luleshtrydhe, mjedër, kumbulla, patate, kastraveca, majdanoz, najazmë, pazì.