Ditën e sotme janë mbajtur homazhet për Kosta Grillon, komentatorin e njohur shqiptar që ndërroi jetë për shkak të infektimit me koronavirus.
Dritan Shakohoxha kishte marrë me vete dhe mikrofonin e tij të fundit si komentator, të cilin kishte vendosur ta mbante si kujtim për mbylljen e karrierës. Mirëpo këtë mikrofon ai ka vendosur t’ia japë me vete në banesën e fundit Kosta Grillos.
“Kishim shpresën në zot se do të kthehej. Kosta gjithmonë është zhduk dhe është kthyer prapë në jetën e vet. Sa herë që i ka ndodh ndonjë gjë ikte dhe kthehej prapë. Për fat të keq këtë herë nuk ndodhi. Sot kam ardhur me mikrfonin që shihni këtu. Ky është mikrofoni i ndeshjes së fundit që kam komentuar unë në Londër në kampionatin europian. Kisha vendosur që këtë mikrofon ta mbaja për të pasur kujtim si ndeshja ime e fundit. Me Kostën kam punuar pothuajse gjithë karrierën time. E solla këtu që t’ia jap me vete mikut tim që për fat të keq edhe ai nuk do të komentojë më asnjëherë por të paktën ta ketë me vete.
Në minutën e fundit me ndeshjes me Armeninë, kur kishte mbaruar ndeshja dhe pritej vërshëllima, momenti i vetëm që s’do harroj kurrë është përqafimi bashkë. Është e vetmja gjë që mund të kujtoj. Më vjen shumë keq. Dua të kujtoj me humor dhe shaka Kostën, kështu që e jetuam bashkë këtë profesion dhe më vjen keq që jam sot këtu për këtë motiv. Kosta ishte unikal dhe askush nuk do të bëhet si Kosta asnjëherë”, tha Shakohoxha.