Vala tjetër e pandemisë godet Shqipërinë në tetor, skenari më i mirë dhe më i keq

Shqipëria është duke u përballur me një numër të vogël të rasteve të reja me koronavirus gjatë javëve të fundit, gjë e cila është duke i dhënë vendit dhe sistemit shëndetësor në tërësi një frymëmarrje pas goditjes së fortë në muajt nëntor-dhjetor dhe shkurt-mars.

Edhe pse me një rritje të lehtë gjatë ditëve të fundit, Shqipëria mbetet në 15 raste të reja (e premte, 16 korrik), ndërsa në ditët e mëparshme kemi parë edhe më mirë.

Por a do të jetë ky trendi i përgjithshëm i verë dhe i vjeshtës? Gjasat janë që jo. Kështu mendojnë edhe ekspertët e ISHP-së, të cilët bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë po bëjnë thirrje vazhdimisht për vaksinimin e qytetarëve.

Këtë shqetësim e konfirmon edhe projeksioni i Institutit të të Dhënave Shëndetësore në Universitetin e Washingtonit në SHBA, sipas të cilit Shqipëria pritet të përballet edhe me një valë tjetër pandemia në tetor-nëntor.

Projeksioni i pandemise ne Shqiperi, sipas Institutit te Dhenave Shendetesore
Sipas institutit në fjalë, vala e tetorit nuk do të jetë me intensitetin e nëntor-dhjetorit (2020) apo shkurt-marsit(2021), megjithatë është një situatë që do të testojë sërish sistemin shëndetësor të vendit.

Projeksioni

Sipas këtij projeksioni, gjatë tetorit Shqipëria mund të shkojë në kushte normale deri mesatarisht 14 vdekje në ditë dhe në kushte ekstreme deri në 20 vdekje në ditë. Sa i përket rasteve aktive, projeksioni vijon nga 5 300 në kushte normale në 7 100 në kushte ekstreme.

Sipas këtij instituti, rreziku minimizohet nëse qeveria vendos sërish mbajtjen e maskave me detyrim në ambiente të jashtme dhe të brendshme ku numri i vdekjeve ulet deri në 1-2 në ditë dhe ai i rasteve aktive mes 510-530 të tilla. Deri më tani në Shqipëri nuk është konfirmuar varianti “Delta”, megjithatë ditët e fundit vërehet një rritje e lehtë e rasteve.

Rastet e reja gjatë ditëve të fundit

Të martën, 11 raste të reja

Të mërkurën, 8 raste të reja

Të enjtën, 13 raste të reja

Të premten, 15 raste të reja. /abcnews.al