Për 25 vjet me radhë Ilir Kanani jetoi dhe punoi në Gjermani, por një sëmundje e shfaqur pak kohë më parë, i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe u kthye në Berat për t’u kuruar. Pas shumë konsultave dhe diagnostikimit të sëmundjes, mësoi se vezët e thëllëzës ishin kurative për të. Kura që i rekomanduan përveçse ishte efikase dhe e shëroi, i hapi edhe një mundësi për të bërë biznes. Iliri nisi mbarështimin e thëllëzave japoneze, të cilat i ndryshuan jetën.
“Ideja ishte se unë kisha disa probleme me shëndetin dhe dëgjova diku që këto vezët e thëllëzës janë kurative, të kurojnë për ato probleme që unë i kisha, dhe mendova se po vë disa, rezultati ishte absolut special, dhe kështu filloi. E nisa në fillim me 100 copë dhe tani kam diku te 2000 copë”, -thotë ai.
Pasi biznesi mori formë, nisën dhe kërkesat e para për shitjen e vezëve, por jo vetëm.
“Vijnë më kërkojnë vezë po më shumë kam kërkesa për thëllëzat, restorantet i duan të therura dhe të pastuara. Tani ndihem shume shumë më mirë dhe jam aktiv”, -vijon ai. Për këtë biznes, i cili ndodhet në lagjen Uznovë të Beratit, kujdesen edhe familjarët./Euronews