Surprizat e Motit, ja cfarë na pret nesër dhe 5 ditët në vijim sipas Tanja Porjas..

Parashikimi për 24 orët në vijim:

Sipas sinoptikanes Tanja Porja, pjesa e parë e ditës së enjte pritet të karakterizohet nga mot kryesisht i kthjellët në të gjithë territorin. Megjithatë, gjatë pasdites pritet shtim i vranësirave, kryesisht në zonat lindore, ku nuk përjashtohen rrebeshet afatshkurtra të shiut. Në zonat qendrore reshjet do të jenë më të pakta, ndërsa bregdeti do të mbetet me kthjellime dhe ndonjë vranësirë kalimtare.

Temperaturat do të vijojnë të rriten, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë, ku termometri pritet të arrijë deri në 35°C. Era do të fryjë e lehtë nga drejtimi perëndimor dhe jugperëndimor gjatë gjithë ditës.

Konkretisht:

Gjatë natës dhe paraditës së nesërme, moti do të mbetet i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit.
Vranësira të lehta e kalimtare priten në skajin verior dhe zonat lindore, por pa reshje gjatë paradites.
Në mëngjes, temperaturat do të jenë në rritje – në zonat malore nga 9°C ngjiten në 11°C, ndërsa në zonat perëndimore dhe bregdet, nga 14°C deri në 17°C.
Pas mesditës pritet shtim i vranësirave për shkak të temperaturave të larta, me rrebeshe të izoluara, kryesisht në juglindje dhe pjesërisht në jug, përfshirë zonat lindore të Tiranës dhe Elbasanit. Reshje më të pakta priten në Kukës dhe Dibër.

Në bregdet moti mbetet kryesisht i kthjellët, me vranësira kalimtare që intensifikohen në mbrëmje në zonat lindore.

Temperaturat e mesditës do të arrijnë:

Në zonat malore: 27–32°C.
Në bregdet dhe zonat perëndimore: 31–35°C.
Për 5 ditët në vijim:
Rrebeshet e ditës së nesërme do të jenë afatshkurtra dhe do të zhduken në mbrëmje, duke i lënë vendin motit të kthjellët të premten dhe të shtunën, deri pasditen e së dielës. Më pas do të ketë shtim të vranësirave në mbrëmjen e së dielës dhe fillimin e javës së ardhshme.

Temperaturat do të vijojnë të rriten deri të hënën. Të martën pritet të ketë ndryshim në masat ajrore – ato të nxehta nga Afrika do të tërhiqen, duke sjellë freskim të motit dhe ulje të temperaturave deri në 35°C nga 37°C gjatë fundjavës.

Në rajonin e Ballkanit:
Tabloja sinoptike mbetet e ngjashme – kthjellime dhe vranësira pasdite që sjellin rrebeshe të izoluara në lindje dhe juglindje të rajonit: në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, pjesërisht në Greqi, Rumani dhe Bullgari. Temperaturat do të rriten me 1–2°C si në mëngjes, ashtu edhe në mesditë. Minimumet do të luhaten nga 12–13°C në zonat e brendshme, ndërsa maksimumet arrijnë deri në 38°C në skajin jugor të rajonit. Në brigjet perëndimore priten temperatura nga 30–33°C.

Në Europë:
Një ndarje e qartë sinoptike: vranësira dhe reshje në gjysmën perëndimore të kontinentit, ndërsa pjesa lindore dhe juglindore do të jetë kryesisht e kthjellët. Mesdheu gjithashtu do të jetë i kthjellët.

Reshje afatshkurtra priten në ishujt britanikë, Alpe dhe pjesë të qendrës e veriut të Europës, por jo në mënyrë masive. Temperatura e mëngjesit në kontinent do të luhatet nga 10–20°C. Maksimumet arrijnë në:

37–38°C në Gadishullin Iberik dhe skajin juglindor të kontinentit.
38–39°C në Siçili dhe zonat jugore të Italisë.