Parashikimi i motit për nesër sjell sërish vlera termike shumë të larta, me një maksimum që ruhet në 40°C, ndërsa mëngjesi do të ketë temperatura nga 15 deri në 25°C në rang vendi. Në zonat e thella malore, maksimumet do të jenë rreth 30°C, ndërsa pjesa më e madhe e ultësirës perëndimore do të përjetojë temperatura nga 37 deri në 40°C.
Era do të vijojë me shpejtësi mesatare, me drejtim veriperëndimor gjatë gjithë ditës. Gjatë natës dhe paradites së nesërme, do të dominojnë kthjellimet, ndërsa vranësira të lehta dhe kalimtare do të shfaqen kryesisht në lindje dhe juglindje.
Termometri i mëngjesit nuk pritet të pësojë ndryshime të ndjeshme – vetëm një rritje shumë të lehtë prej më pak se 1 gradë. Në verilindje, zonat malore do të shënojnë rreth 15°C, ndërsa në juglindje më shumë ngrohtësi. Në shtrirjen perëndimore, vlerat do të variojnë nga 21–23°C në brendësi, deri në 25°C në bregdet.
Gjatë mesditës dhe pasdites, vranësirat do të shtohen disi, veçanërisht në qendër, verilindje dhe juglindje, ndërsa bregdeti dhe jugu i vendit mbeten kryesisht me diell. Nuk priten reshje.
Në Elbasan, Berat, Shkodër, Koplik, Fier, Gjirokastër dhe Tiranë, priten temperatura nga 39 deri në 41°C.
🌡 Si do të jetë moti gjatë 5 ditëve në vijim?
Kushtet e motit mbeten të qëndrueshme dhe të nxehta edhe në ditët në vijim. Deri të paktën të martën, nuk pritet ndonjë rënie e ndjeshme e temperaturave.
E premte: 39–40°C në zona të izoluara si Berati.
E shtunë dhe e diel: një freskim i lehtë, me vlera rreth 38–39°C.
E hëna dhe e marta: rikthim i vlerave rreth 38–40°C në shumë zona.
Në zonat malore lindore, të shtunën dhe të dielën, mund të ketë rrebeshe afatshkurtra lokale, por pjesa më e madhe e vendit do të mbetet pa reshje.