Simptoma të Covid-19; pas Cikalleshit izolohet edhe ylli tjetër i kombëtares

Ditën e parë të grumbullimit të kombëtares për kualifikueset e tetorit rezultuan të infektuar dy kuqezinjtë e parë, futbollisti i Tiranës, Erion Hoxhallari, dhe fizioterapisti Voci. Të dy u kthyen në shtëpitë e tyre për t’u izoluar.

Përgatitjet e kombëtares vijuan më tej normalisht deri pas ndeshjes me Hungarinë, të cilën e fituam 1-0. Sytë e të gjithëve u kthyen te supersfida e mbrëmjes së sotme ndaj Polonisë, e cila vendos shumë për vendin e dytë në grup, çka nënkupton pjesëmarrje në “play off”, një hap larg fazës finale të Botërorit 2022.

Fati i keq nisi që në Budapest, në fakt, me dëmtimin e shtyllës sonë të mbrojtjes, Berat Gjimshiti. Pastaj vijoi me pezullimin për shkak kartonësh të Endri Çekiçit, deri mbrëmë, kur Sokol Cikalleshi rezultoi me Covid-19.

Edhe sulmuesi kavajas e humbi ndeshjen me polakët. Ky kalvar nuk do të mbyllej këtu, sepse sot, simptoma të infektimit me koronavirus ka shfaqur edhe mesfushori Klaus Gjasula.

Mjekët e kombëtares kanë rekomanduar menjëherë izolimin e e tij, në pritje të bërjes së tamponit dhe përgjigjes zyrtare. Në këto kushte, edhe ai do të mungojë sonte ndaj Polonisë.

E thënë ndryshe, mungesat e titullarëve të padiskutueshëm në këtë përballje, që vlen tërë edicionin kuaklifkkues, shkojnë në tre: Cikalleshio, Gjimshiti dhe Gjasula. Vërtet shumë për një kombëtare si e jona, e cila nuk ka bollëkun e zgjedhjeve si gjigantët e Europës.