TIRANË- I nxehti dhe vapa duket se sapo kanë filluar. Edhe javën që vjen, temperaturat do të jenë shumë të larta, duke vendosur edhe rekorde. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka bërë me dije se ashtu si këto ditët apo javët e fundit edhe java që presim përpara parashikohet një javë me mot të qëndrueshëm si dhe temperatura të cilat ende mbeten të larta.
Nga dita e Mërkurë mbi vendin tonë depërton përsëri një valë e të nxehti me masa ajrore nga Afrika e Veriut si dhe temperatura, të cilat parashikohet të presin përsëri vlerat 38 deri në 40°C.
Në këtë mënyrë moti për të gjithë javën parashikohet kryesisht i kthjellët por nuk do të mungojnë edhe alternimet e vranësirave të pakta por hera-herës edhe mesatare. Në relievet malore në lindje si dhe zonën e jugut vranësirat hera-herës deri të dendura por kalimtare.
Era përgjatë këtyre ditëve do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut dhe shpejtësi mesatare 1-5m/s ndërsa në bregdet dhe lugina me rrahje deri në 8-10m/s. Për shkak të temperaturave të larta, ka rrezik të madh edhe për zjarret. Nga nesër pritet niveli rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier, Berat dhe Vlorë. Por rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së nesërme, kur temperaturat të rriten.