Kjo javë do jetë nën mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm. Meteorologët parashikojnë reshje shiu pothuajse në të gjithë territorin e vendit.
“Duke filluar nga dita e martë deri ditën e premte, priten që këto vranësira dhe reshje shiu të jenë prezente në zonat veriore dhe shtrirjen lindore, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshje do të jenë në sasira më të pakëta. Herë pas here, duke filluar nga dita e enjte dhe e premte do të kemi prezente rebeshe e shiut të fokusuara kryesisht në zonat verilindore dhe në juglindjen e territorit shqiptar. Ndërsa pjesa tjetër do të mjaftohet me reshje të pakëta shiu”, tha meteorologu Hakil Osmani.
Pavarësisht prezencës së reshjeve, temperaturat do mbeten të larta, por do të pësojnë një ulje të lehtë në krahasim me javën e shkuar.
“Nga ana tjetër edhe pse do të kemi prezencë të vranësirave dhe herë pas here kemi reshje shiu, pritet që temperaturat e ajrit të mbeten të larta. Dita e martë dhe dita e mërkurë sjellë një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit në mesditë, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 27 apo 28 gradë Celsius, por pjesa e dytë e javës sjell një rënie graduale të temperaturave të ajrit duke bërë që deri ditën e premte maksimumet të jenë jo më shumë se vlera 25 apo 26 gradë Celsius, e regjistruar kjo në vijën bregdetare”, tha meteorologu Hakil Osmani.
Edhe fundjava pritet të jetë nën mbizotërimin e vranësirave dhe reshjve të përkohshme të shiut.