“Gambero Rosso”, një nga revistat më prestigjioze të gastronomisë italiane, që prej 20 vitesh ofron guida të restoranteve, verërave, vajrave të ullirit dhe pjatave më të arrira nga mjeshtrit botëror të kuzhinës, në numrin e kësaj jave i ka dedikuar një artikull të gjatë asaj që është kthyer në një pikë referimi për gjithë turistët që vizitojnë Tiranën, Pazarit të Ri. Vizita jashtë Italisë e stafit të gazetarëve të “Gambero Rosso”, që zakonisht orientohen në kërkim të markatave më të mira të gastronomisë në Europë e në botë, kësaj herë është ndalur në Pazarin e Ri të Tiranës, ku siç theksohet në këtë artikull, “blihet dhe hahet në çdo orë”.Artikulli thekson se në sheshin “Avni Rustemi”, në qendër të kryeqytetit, “Pazari i ri” i ndërtuar që prej vitit 1931, falë një investimi dhe një rikualifikimi urban, u bë e mundur që kjo strukturë dhe sheshi ku ai ndodhet të rinovohen dhe të kthehet në një qendër gastronomike e denjë të konkurrojë edhe me simotrat e saja ballkanike. “Udhëtimi ynë në kërkim të tregjeve gastronomike më të njohura në Europë e botë, që në të kaluarën na ka çuar shumë herë jashtë Italisë, këtë herë ka ndaluar përtej Adriatikut, në Shqipëri, për të parë se si prej disa muajsh, tregu tradicional në qendër të Tiranës po shndërrohet në një qendër gastronomike dhe turistike të mirëfilltë. Investimi ka qenë i konsiderueshëm, 6.5 milionë euro por sot imazhi i sheshit “Avni Rustemi”, i parë në kontekstin e një ristrukturimi më të gjerë urbanistik i cili ka përfshirë ndërtesat përreth dhe sheshin “Skënderbej” flet për një kryeqytet që nuk i trembet modernizmit dhe që pretendon të jetë një destinacion turistik, në të njëjtin nivel me “xhevahirë” të tjerë në Ballkan”, thuhet në këtë artikull.
Më tej në autori i këtij shkrimi bënë të ditur se si në 2016, administrata e qytetit projektoi rinovimin arkitekturor të tregut, ku në vend të kompleksit të vjetër, u ndërtua një strukturë moderne në qelq dhe çelik e hapur në anët e saj, me një mbulesë asimetrike që kujton çatitë e shtëpive tradicionale të Tiranës. Jo vetëm arkitektura dhe infrastruktura e veçantë e ndërtuar, por edhe tregu apo ushqimi që ofrojnë lokalet e ngritura në të, ku veçohen ato që ofrojnë produkte deti, kanë tërhequr gjithmonë e më shumë turistë. “Që prej muajit mars, kur Pazari i Ri u inaugurua zyrtarisht, përmes tezgave mund të shohësh gjithnjë e më shumë turistë të cilët gjejnë rastin të shijojnë specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare. Markata e Peshkut, për shembull është pika e fortë në kuzhinën e tregut; peshkun mund ta zgjedhësh në tezga dhe gatuhet në moment e më pas mund ta shijosh ulur brenda apo në tavolinat shumëngjyrëshe në sheshin këmbësor, pak metra larg tezgave”, shkruhet në këtë artikull.