Edhe pse jemi drejt fundit të majit, duket sikur moti ka mbetur në stinën e vjeshtës. Reshje shiu dhe temperatura deri në 10°C më të ulëta se normalja për këtë periudhë karakterizojnë parashikimin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për pjesën më të madhe të territorit.
Gjatë orëve të mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit të nesërm, në zonën e veriperëndimit, përgjatë ultësirës perëndimore dhe vijës bregdetare, reshjet herë pas here do të jenë me intensitet deri të lartë, në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe lokalisht edhe breshër.
Edhe të premten, vendi do të vijojë të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike. Moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare dhe të dendura, me alternime të herëpashershme kthjellimesh. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme, me intensitet kryesisht të ulët, kryesisht në zonat malore të veriut dhe lindjes së vendit.
As fundjava nuk sjell përmirësim të kushteve të motit. Sipas meteorologëve, reshjet pritet të largohen nga territori vetëm në fillim të javës që vjen. Pra, si e shtuna ashtu edhe e diela do të vijojnë nën ndikimin e masave ajrore të lagështa me origjinë veriore, duke mbajtur mot të vranët në pjesën më të madhe të vendit dhe reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar.
Të dielën, lokalisht reshjet pritet të jenë më të fuqishme, në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Kjo situatë do të shoqërohet edhe me rënie të mëtejshme të temperaturave duke filluar nga dita e shtunë. Temperaturat gjatë fundjavës do të zbresin në vlera mes 17°C dhe 19°C në mesditë — disa gradë më të ulëta se mesatarja e muajit maj.
Duhet theksuar se në këtë periudhë të vitit temperaturat zakonisht variojnë nga 28°C deri në 32°C. Pra, moti që po përjetojmë është më tipik për muajt e vjeshtës si shtatori apo tetori, kur fenomenet si reshjet dhe ulja e temperaturave janë më të zakonshme.
Problem tjetër deri në fundjavë do të jetë edhe era, e cila parashikohet të fryjë me intensitet të lartë nga jugu, duke gjeneruar dallgëzim në det nga 3 deri në 6 ballë.
Por ditet e fundit te majit pritet qe moti te ndryshoj dhe me ardhjen e qershorit te rikthehen diten e nxehta te veres.