Tiranë, 5 korrik 2025 – Pas disa ditësh me temperatura ekstreme, meteorologia Lajda Porja ka paralajmëruar një kthesë të përkohshme në mot gjatë javës që vjen, por gjithashtu ka bërë të qartë se korriku dhe gushti do të jenë ndër muajt më të nxehtë të dekadës.
Kulmi i të nxehtit sot, me temperatura deri në 41°C Sipas Porjas, kjo e shtunë përfaqëson kulmin e valës aktuale të të nxehtit, me temperatura që shënojnë deri në 41°C në shumë zona të vendit. Ndërkohë që dje këto vlera u regjistruan në Berat, sot pritet që të njëjtat temperatura të shënohen edhe në Shkodër, Koplik dhe Elbasan. Në zonat bregdetare, termometri do të ngjitet në 37–38°C, nën një mot të kthjellët dhe përvëlues.
Të mërkurën vjen freskimi me rrebeshe në veri dhe qendër Porja njoftoi se ditën e mërkurë në vend do të depërtojë një masë ajrore më e freskët me origjinë nga veriu i Europës. Si pasojë, në veri dhe qendër të vendit do të shfaqen stuhi dhe rrebeshe shiu, megjithëse në sasi më të pakta sesa në vendet e tjera të Europës. Temperaturat do të zbresin përkohësisht në 32–33°C, përpara se të kthehen sërish drejt vlerave përvëluese.
Pas një pauze të shkurtër, rikthehet vala e të nxehtit Pas katër ditëve me temperatura disi më të ulëta, nga e diela tjetër dhe në vijim, pritet rikthimi i temperaturave në 38°C. Porja theksoi se gushti do të jetë edhe më i nxehtë, me ditë të njëpasnjëshme ku priten temperatura 38–39°C, dhe ndoshta edhe deri në 41°C në hije, duke e çuar ndjesinë reale në deri në 46°C në diell.
Temperaturat ekstreme do të zgjasin më shumë se zakonisht Ajo vuri në dukje se ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë verë të nxehtit nuk do të jetë i shkurtër, por do të zgjasë deri në 12 ditë rresht, ndërsa ditët e freskëta do të jenë të rralla. “Temperaturat janë të matura në hije, ndërsa në diell ndjehen edhe 4-5 gradë më shumë se sa regjistrohet”, theksoi Porja.