Njoftim për te gjithe ata bashkatdhetarët në diasporë që marrin rrugën drejt Shqipërisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije të gjithë shtetasit shqiptarë që duke filluar nga data 1 qershor 2020, në bazë të Urdhrit Nr.351, datë 29.05.2020, për “Marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID19”, do të hapen kufijtë tokësorë dhe ky eshte nje lajm i mire per te gjithe qe te gjithe te udhetojne.

Shtetasit shqiptarë që lëvizin nga vendet e BE-së, transit në Republikën e Sllovenisë, për të vazhduar më tej udhëtimin drejt Republikës së Shqipërisë, është në fuqi regjimi i mëparshëm i lëvizjeve i dhënë nga ky shtet, përkatësisht:

Vëmendje: – Nevojitet si fillim miratim për lëvizjen nga Republika e Kroacisë dhe vendet e tjera tek të cilët shtetasit shqiptarë do të kalojnë, pasi në rast të mosmarrjes së miratimit/konfirmimit rrezikohet bllokimi në kufirin Austri-Slloveni dhe Itali-Slloveni. Për kalimin transit në territorin e Republikës së Kroacisë do të vazhdojë të kërkohet leje nga pala kroate për çdo rast kalimi, deri në momentin që Mali i Zi do të njoftojë zyrtarisht Republikën e Kroacisë për hapjen e kufirit me Shqipërinë, transmeton tutje albinfo.ch.

Republika e Sllovenisë lejon kalimin transit vetëm me miratim/konfirmim të shtetit nga të cilët shtetasit shqiptarë do të kalojnë.

Mali i Zi ka vendosur të hapë kufijtë e tij me Republikën e Shqipërisë, duke mundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ky vendim është marrë edhe për disa vende fqinje dhe të Bashkimit Evropian, ndër to Kroacia, Sllovenia, Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Hungaria dhe Greqia.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me vendim të Këshillit të Sigurisë, gjendja e jashtëzakonshme në këtë shtet është shtyrë edhe për 14 ditë të tjera (përkatësisht dy javët e para të muajit qershor).

Për sa i përket lëvizjes së lirë në këtë shtet, ju bëjmë me dije se në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit e huaj, që paraqesin testin PCR, të bërë me shpenzimet e tyre dhe jo më vonë se 72 orë nga momenti i kalimit. Në rast se testi nuk do të paraqitet para autoriteteve kompetente, të gjithë shtetasit që do të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të duhet të vetë karantinohen për 14 ose 20 ditë.

Aktualisht, e vetmja pikë kufitare që funksionon me Shqipërinë është ajo e Qafë Thanës, ku vijon puna pa pengesa për kalimin e kamionëve me mallra.

Shtetet e BE-së (Greqia, Italia, Kroacia dhe Sllovenia) vijojnë të kenë kufijtë e mbyllur deri më 15 qershor. Qeveria e Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës shpalli më 29 maj 2020 fundin e gjendjes së katastrofës natyrore në vend. Ajo vlerëson se situata epidemiologjike është mjaft e qëndrueshme që lejon vazhdimin e aktiviteteve në mënyrë normale në vend.

Duke filluar nga data 1 qershor 2020, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, hapen për qarkullim pikat sipas këtij Vendimi, duke respektuar kriteret e përcaktuara.

Të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës dhe posedojnë testin COVID-19 TR PCR (jo më të vjetër se 4 ditë) nuk u nënshtrohen procedurave të vetizolimit, kurse të gjithë shtetasit që nuk e posedojnë testin detyrohen të vetizolohen për 7 ditë. Kontroll nga ekipet e mjekëve do të ketë në çdo pikë të kalimit kufitar.

Pikat e kalimit kufitar të hapura janë: Merdar, Vërmicë, Kulle, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.