Nisja e shkolles, keto jane rregullat e reja qe duhet te ndjekin nxenesit. Ja si do te jene oret e mesimit..

Me rregulla anti-covid, por të gjithë nxënësit do t’i kthehen mësimit në klasë. Pas një viti të lodhshëm nga pandemia, më 27 shtator shkollat do të fillojnë normalisht. Nuk do të ketë mësim online dhe as turne për shkak të koronavirusit.

Rikthehen orët 45-minutëshe dhe ngarkesa e plotë mësimore. Ky do të jetë skenari që do të aplikohet këtë fillimviti shkollor.

“Deri në këto momente, kemi njoftim që në shkolla do të zhvillohet proces normal mësimor. Nuk do të ketë mësim me turne dhe as mësim on line. Ne po përgatitemi me mësim normal dhe aktualisht po zhvillojmë mësim plotësues për mangësitë që krijoi online. Ndërkohë do të zbatohen me përpikëri masat anti-covid”, shprehet Albert Zhupa, drejtor i shkollës “Pjetër Budi”.

Edhe pse “Delta” po përhapet me shpejtësi edhe tek të rinjtë dhe fëmijët, shkollat dhe autoritetet shëndetësore do të jenë në gatishmëri për çdo situatë të pritshme nga koronavirusi. Në varësi të situatës do të aplikohen dhe skenarët e tjerë. Por, sipas udhëzimeve të deritanishme, çdo rast pozitiv, fëmijë apo mësues, do të izolohet ndërsa klasa do t’i rikthehet mësimit pasi të kenë kryer testin e shpejtë.

Ndërkohë, drejtues të shkollave nuk fshehin hezitimin e disa mësuesve për kryerjen e vaksinës anti-covid. Por mes shkollës dhe humbjes së punës kanë vendosur që brenda afateve të përcaktuara t’i marrin të dyja dozat.

“Ka pasur edhe skeptikë që për arsyet e tyre nuk kanë ndjekur 65% të mësuesve që kanë marrë të dyja vaksinat. Por duke dëgjuar dhe lexuar edhe ai 35% që nuk e kryente tani po pret të marrë dozën e dytë”, shprehet Zhupa.

Deri tani janë vaksinuar 60% e mësuesve dhe pedagogëve në vend, ndërkohë që në institucionet arsimore kanë nisur kontrollet nga Inspektorati Shëndetësor. 30 shtatori është afati i fundit i deklaruar nga kryeministri Rama për vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, studentëve, por dhe punonjësve të administratës.