Nga dr. Erion Dasho
Në javët e para të muajit mars kur vlerësoja si pozitive masat e karantinës, disa miq të faqes që i kundërshtonin këto masa, më kritikonin se po bëja politikë në favor të qeverisë dhe OBSH-së.
Shumë prej tyre akoma m’i përmendin statuset e muajit mars, duke më kujtuar një film të kohës së komunizmit kur personazhit i zbulojnë në biografi një të afërm që e kishte nisur luftën si ballist për t’a përfunduar si partizan.
Ndërkohë nga fundi i muajit mars e në vijim kam mbajtur një qëndrim gjithmonë e më kritik ndaj asaj që është duke mos bërë Ministria dhe Komiteti. Sërish më kritikojnë se jam duke bërë politikë me COVID-in, por kësaj here në favor të opozitës.
A ËSHTË KJO QË PO BËJ UNË DHE KOLEGËT KRITIKË POLITIKË ME COVID-IN?
Në Shqipëri çdo çështje herët a vonë politizohet dhe COVID-i nuk mund të bëjë përjashtim. Nga njëra anë, qeveria promovon suksese dhe arritje, kurse nga ana tjetër opozita konstaton dështime. Në pamje të parë, debati mbi COVID-in duket sikur i nënshtrohet rregullit të përgjithshëm, sepse debate të polarizuara në ekstrem bëhen edhe për ekonominë, drejtësinë, zgjedhjet, arsimin, integrimin dhe pothuajse çdo temë që hidhet për diskutim.
SIPAS MENDIMIT TIM, NDRYSHIMI KËSAJ HERE QËNDRON NË TË PAKTËN DY PIKA TË FORTA:
SË PARI, KUR FLITET PËR COVID-IN KANË ZË EDHE EKSPERTËT DHE JO VETËM GJITHOLOGËT QË JEMI MËSUAR T’I SHOHIM TË DISKUTOJNË PËR GJITHÇKA (SIGURISHT EDHE PËR COVID-IN).
SË DYTI, NË RASTIN E COVID-IT EKZISTOJNË DISA FAKTE KOKËFORTË QË JANË SHIFRAT.
Të përshkruash gjendjen katastrofike të masave kundër COVID-it në Shqipëri nuk është politikë boshe, sepse për këtë gjendje flasin faktet dhe jo fjalët!
Kur thua se Shqipëria ka numrin më të ulët të testeve për banor në Europë, ky është fakt!
Kur thua se prej fundit të Majit, kemi rritje të pandalshme të numrit të rasteve dhe të vd.ekj.eve, ky është fakt!
Kur thua se ka disa javë që Shqipëria qëndron në 5 vendet e para në Europë për numrin e vdekjeve për 1 milion banorë, ky është fakt!
Kur thua se ka disa javë që Shqipëria qëndron në 10 vendet e para në Europë për numrin e rasteve të reja për 1 milion banorë, ky është fakt!
Kur thua se spitalet COVID-1 dhe 2 kanë arritur kapacitetin e tyre, jo vetëm me 114 pacientët e diagnostikuar, por edhe me dhjetëra pacientë të tjerë të dyshuar si të prekur nga COVID, ky përsëri është fakt!
Kur rendit këto fakte, nuk bën politikë dhe nuk mbështet këtë apo atë parti opozitare!
THJESHT I THUA MINISTRISË DHE KOMITETIT SE PËRGJIGJA E TYRE NDAJ COVID KA DËSHTUAR DHE OSE DUHET TË NDRYSHOJNË KURS URGJENTISHT, OSE DUHET TË LARGOHEN DUKE U KËRKUAR FALJE SHQIPTARËVE QË PO U RREZIKOJNË ÇDO DITË SHËNDETIN DHE JETËN, PO U SHKATËRROJNË EKONOMINË DHE JETËN SOCIALE DHE PO I IZOLOJNË SËRISH NGA BOTA E QYTETËRUAR DUKE I BËRË “ORTAKË” TË VETËM ME BJELLORUSINË E LUKASHENKOS.
KRITIKËVE (DHE SIDOMOS KRITIKËVE QË KANË SHITUR LËKURËN TEK PUSHTETI) U THUA SE KY VEND NUK KA VETËM POLITIKANË, GJYSMAGJELË DHE LAPANJOZË, POR KA EDHE EKSPERTË! NË SE JEMI EKSPERTË TË ZOTË APO TË PAZOTË NA GJYKON TREGU I PUNËS NË VENDET KU PUNOJMË DHE KU NUK PIJNË UJË TESERAT E PARTIVE.