“Lamtumirë o i shtrenjti im, po qaj si asnjëherë më parë. Erdhe dhe ike në nëntor

Nga Pëllumb Kulla

Të mori edhe ty kjo kosë e mallkuar e këtyre kohërave…

Këtu ku jam nuk është gdhirë ende, kur Xhuljeta më shkundi dhe më goditi me kobin tënd…

Tërë këto ditë na ke mbajtur ndezur shqetësimet tona…

Bisedat e fundit me ty në spital, pastaj kur ti heshte, bisedat me Agron Llakajn, Filipin, Mitron, Bert Mingën, Mevlanin, Petrit Rukën, Bombajn…

Po qaj, si asnjëherë…

Na kanë ikur, si ike ti sot, dhjetëra e dhjetëra shokë, artistë me vlera të skenës dhe ekranit, jam pikëlluar shumë edhe për ta, por lotët e nxehta për, ty mbase në një unitet me të qeshurat që më ke ndjellë, qënkan më të kollajtë e më të paprerë.

Ky është vetëm reagimi i parë, o i bukuri im, se unë pas pakë, që sot, do të nis të qesh përsëri, se kështu duhen përcjellë artistët e vërtetë të humorit, ata, që si ti, lindin njëherë në 100 vjet dhe lenë aq kujtime, sa nuk harrohen kurrë dhe sillen ndërmend në biseda dyshe e në grupe, me fytyrat e ndritura nga dielli yt.

Si për ironi të fatit, erdhe dhe ike në data që të dhanë aq shumë lëndë dhe frymëzim.

Erdhe e ike në nëntor…

Së pari më 28 dhe së dyti më 8 të këtij muaji…

Rrugë të mbarë, rrugë të ndritur në kujtimet tona, o Koço Devole!