Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur sërish sot, për të publikuar vendimet e radhës mbi situatën më të fundit në vendin tonë.
Në konferencën për shtyp doli ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur vendimet e fundit.
Ministrja bëri fillimisht një bilanc të ecurisë epidemiologjike në vendin tonë.
Ajo fillimisht foli për rënien e dukshme të rasteve të reja si dhe të fataliteteve.
Kjo ka bërë që edhe në spitale, – tha Manastirliu, – të ketë më pak të shtruar gjatë ditëve të fundit, si dhe situata të jetë e stabilizuar.
“Situata është nën kontroll”, tha Manastirliu, duke publikuar edhe masat e reja pas rivlerësimit nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Lidhur me karantinën që u aplikua në dy javët e fundit për dy vendet fqinje, Manastirliu tha: Kemi vendosur të heqim masën karantinore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi situata në dy vendet fqinje vlerësohet më pozitive”.
Një vendim tjetër është lehtësimi i masave në universitete.
“Lejohet hapja e auditoreve në universitete për provime dhe konsultime”, tha Manastirliu.
Kufizimet e orarit do të mbeten të pandryshuara: 22:00 deri në 6:00. Po ashtu edhe masat e tjera mbeten në fuqi, si grumbullimet etj.
/a.m/NOA.al