Ministrja Manastirliu dhe ekipi i shëndetësisë prezantuan masat për rritjen e kapaciteteve të testimit dhe hetimit epidemiologjik, për kufizimin e përhapjes së infeksionit.
“Po bëjmë cdo përpjekje që kemi në dorë, për tju përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë dimër. Struktura jonë kombëtare e testimit duhet të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID19. Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve”, tha Manastirliu, e cila në prezantimin e planit të vjeshtë-dimrit për rritjen e kapaciteteve të testimit, dha lajmin se muajin e ardhshëm do të dyfishohet numri i testimeve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashtroi fuqizimin e disa elementëve të rritjes së survejancës, testimit, gjurimitt dhe kapaciteteve laboratorike.
“Nga muaji Shtator do të zgjerohen kapacitetet, me pajisje të reja për ekstraktim automatik, sistem të automatizuar për testimin e terrenit, pajisje ftohëse për ruajtjen e mostrave, sistem i integruar për menaxhimin e informacionit në laborator. Jo vetëm do të rrisim kapacitetet në disa laboratorë publikë në vend, por edhe do të rrjetin e laboratorëve COVID-19 në bashkëpunim me sektorin publik dhe privat”, tha Manastirliu.
Duke filluar nga muaji Shtator do të rriten me 30% edhe stafet e epidemiologëve dhe ndihmës epidemiologëve në terren. – “Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, – shtoi ministrja.
Mbi situatën aktuale, Manastirliu tha se Shqipëria vijon të ketë tregues më të qëndrueshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
“Nëse shohim edhe situatën e dy javëve të fundit, Shqipëria është ndër vendet me numrin më të ulët të rasteve pozitive dhe të fataliteteve në rajon, por këto janë bilance që nuk duhen bërë në mes të luftës. Ajo çka na ka mësuar kjo pandemi është se këto bilance kanë një konstante dhe ajo është përgjigjja e qytetarëve për zbatimin e masave”, – tha Ministrja e Shëndetësisë.