Ambasada shqiptare në Athinë njofton se nga data 1 nëntor, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi do të zgjedhin vetë ditën dhe orën për t’u paraqitur në ambasadë dhe konsullatat tona në vend për të marrë shërbimet dhe me ne fund ata nuk do te rrijne ne rradhe dhe nuk do te kene probleme si dikur.
Konsullja Joana Zhonga sqaron se përfaqësia jonë diplomatike është ndoshta e vetmja përfaqësi e një shteti në botë, që punon me dy dhe tre turne duke i shërbyer deri në 800-1000 emigrantëve në ditë.
Zhonga sqaron se ministria e jashtme ka shtuar staf në ambasadë dhe konsullatat tona, ndërsa për herë të parë që prej nëntorit do të aplikohet një shërbim pilot, për tju ardhur në ndihmë emigrantëve që banojnë në ishujt e shumtë të vendit.
Kështu që prej nëntorit një grup punonjësish të zyrës konsullore, do të stacionohen për disa ditë në Heraklio të Kretës, ku do të ofrojnë shërbimet konsullore, aplikimet për pasaportë dhe karta identiteti në ishullin më të madh të vendit, ku jetojnë më shume se 12500 emigrantë shqiptarë të ligjshëm.
Nëse ky projekt do të ketë sukses, atëherë do të shtrihet në të gjitha zonat e vendit. Në ketë mënyrë, emigrantët që punojnë në periferi të vendit, nuk do të jetë e nevojshme të udhëtojnë drejtë Athinës, Janinës dhe Selanikut, duke kursyer kështu kohë dhe para nga të ardhurat familjare.
Me qëllim ardhjen në ndihmë të emigrantëve që nuk kanë mundësi ose që nuk njohin kompjuterin, aplikimet do të kryhen tërësisht falas pranë zyrave të ambasadës dhe konsullatave në Selanik dhe Janinë,ndërsa po punohet për rinovimin e infrastrukturës me qëllim dhënien e shumë shërbimeve on line dhe nëpërmjet telefonit.
Kështu që prej 27 korrikut të këtij viti dhe deri sot janë kryer 24.000 aplikime, dhe janë shpërndarë më shumë se 20.000 pasaporta dhe karta identiteti.
Në korrik të këtij viti, ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj shkarkoi gjithë stafin e ambasadës shqiptare në Athinë, për performancë të dobët dhe korrupsion të lartë, për të emëruar më pas ambasadoren e re Luela Hajdaragaj, e cila pasi është dekretuar pa shumë bujë prej presidentit Meta, do të marrë detyrën e re të hënën 12 tetor.