Pas më shumë se një viti, më 14 maj Greqia pritet të hapë kufijtë tokësorë dhe ajrorë për shqiptarët. Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë me dije se me nisjen e sezonit turistik, shteti helen do të lejojë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë, duke hapur pikën kufitare të Kakavijës. Ende nuk ka një njoftim sa i përket rregullave për kalimin e shqiptarëve dhe mësohet se dy vendet po negociojnë në lidhje me këtë gjë. Sipas burimeve, mësohet se për të kaluar në Greqi, qytetarët do të duhet të dorëzojnë një tampon, ose një dokument që vërteton se janë vaksinuar apo që e kanë kaluar Covidin.
Ky dokument do të shërbejë si një certifikatë vaksinimi dhe përveç datës së vaksinimit dhe emrit të vaksinës, certifikata duhet të japë informacion apo të dhëna për testet serologjike me qëllim që qytetarët të mund të udhëtojnë edhe nëse imunitetin ndaj Covid e kanë fituar në mënyrë natyrale. Ky është një lajm i mirë për të gjithë punëtorët sezonalë që i drejtohen vendit fqinj për të siguruar një punë.