Komisioneri Europian për Politikat e fqinjësisë e zgjerimit të Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, sot ndodhet në Romë për një vizitë zyrtare pune e me një mision e axhendë të caktuar me në fokus Ballkanin Perëndimor.
Edhe Shqiperia bashke me vendet e Ballkanit Perendimor jane ne kete qender diskutimesh.
Përballë deputetëve italianë, komisioneri Oliver Varhelyi do të ilustrojë udhëzimet e Bashkimit Europian për zgjerim në Ballkanin Perëndimor e për zhvillimin e politikave të fqinjësisë me vendet mesdhetare dhe me vendet e Europës Lindore.
Kjo seance do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe me tej Komisioneri Varhelyi së bashku me Ministrin italian të Çështjeve Europiane Enco Amendola e me Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Çështjeve të Jashtme Piero Fassino, do të marrin pjesë në konferencën “Bashkimi Europian- Ballkani, sfida e zgjerimit”.
“Me nisjn e negociatave për praninë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, të cilat ndjekin negociatat e nisura me Serbinë e Malin e Zi, integrimi europian po përshpejtohet në një rajon që është kaq strategjik për stabilitetin e sigurinë e kontinentit europian e të pellgut mesdhetar. E aq më tepër është një zgjedhje strategjike për Italinë e cila ka konsoliduar marrëdhëniet politike, ekonomike e kulturore me vendet e Ballkanit e që është një fushë prioriteti në politikën e jashtme italiane”, ka deklaruar Kryetari i Komisonit të jashtëm parlamentar italian, Piero Fassino, në prag të kësaj dite pune të konferencës për vendet e Ballkanit Perëndimor.