Shqiptarët që po emigrojnë në vendet e perëndimit, për shkak të kushteve jo të mira ekonomike këtu, janë të shumtë. Një mundësi e mirë emigrimi për në Gjermani është dhënë sidomos për infermierë të rinj. Mijëra të rinj largohen çdo vit nga Shqipëria me shpresën se do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për t’u rikthyer këtu e për të përballuar jetesën. Antigona Mazrreku nga qyteti i Hasit është një prej tyre.
Ajo ka lënë bashkëshortin dhe fëmijët e saj në këtë qytet të vogël verior dhe është nisur në Gjermani. Nëna e dy fëmijëve, e cila jeton në një dhomë të vogël në vendin e huaj ka treguar:
Jam 30 vjeç dhe kam ndjekur studimet për degën Infermieri e Përgjithshme në Fakultetin e Infermierisë së Përgjithshme, filiali i Kukësit, pjesë e Universitetit të Tiranës, 2009-2012. Fatmirësisht arrita të ushtroj profesionin tim si infermiere për 4 vite në poliklinikën e Hasit ku mbuloja sektorin e Check-up-it.
Por pavarësisht punës si infermiere, paga ime ishte shumë e ulët, vetëm 325 mijë lekë të vjetra në muaj dhe nuk arrija të mbuloja të gjitha shpenzimet familjare. Familja ime përbëhej nga bashkëshorti, prindërit e tij, si dhe me dy fëmijët e mi. Për fatin tonë të mirë, shtëpia është e jona, pra nuk paguajmë qera, por shpenzimet e tjera ishte shumë e vështirë që t’i mbuloja në një kohë që im shoq ishte i papunë, ndërsa prindërit e tij kishin pension të vogël.
Kështu që e gjithë kjo situatë e vështirë më bëri që të merrja vendimin për të shkuar në Gjermani e për të provuar fatin aty, duke lënë pas familjen time”. Përsa i përket mënyrave se si Antigona ka ikur, 30-vjeçarja ka treguar:
Sot interneti t’i lehtëson punët. Shpeshherë kontrolloja në faqe të ndryshme që ofronin punësim për infermierë në shtetin gjerman. Pasi aplikova herën e parë, nuk vonoi shumë përgjigjja dhe më kërkuan skanimin e diplomës, listën e notave, licencën e ushtrimit të profesionit si dhe plan programin e shkollës.
Ndërkohë unë kisha bërë disa kurse gjermanishteje e kisha arritur ta mbroja në nivelin B1. Gjithsesi, gjuha këtu në Gjermani nuk është kusht i domosdoshëm pasi mund të përzgjidhesh e pranohesh edhe në rastin kur nuk e di fare gjermanishten. Shpenzimet në total kanë arritur shifrën 600 euro dhe pas aprovimit të ambasadës gjermane, në 27 janar 2018, u nisa së pari në Shtutgart ku qëndrova 2 ditë te disa të afërmit e mi, ndërsa më pas kam shkuar në Frankfurt, qyteti në të cilin edhe punoj.
Prej një muaji punoj si ndihmës infermiere në Frankfurt, 8 orë në ditë me turne, dhe paga shkon 1800 euro në muaj. Ndërkaq, mua më sigurohen një dhomë e një banjo, ushqimi e në total të gjitha shkojnë 500 euro, të cilat në fund zbriten nga paga mujore. Ndërkohë 309 euro në muaj i mbajnë për njehsimin e diplomës, e pasi të përfundojë njehsimi brenda 5-6 muajsh, mund të punoj ku të dëshiroj si infermiere.
Përparësia e kësaj agjencie është se të jep mundësinë që të zgjedhësh qytetin ku dëshiron të jetosh apo punosh. Këtu lodhem shumë e qëndroj 8 orë në këmbë, por në fund të ditës jam shumë e kënaqur me punën, por më së shumti me kushtet që më ofron ky shtet.