Moti paraqitet me reshje të herëpashershme në veri të vendit. Edhe pse rrebeshet janë më të rralla, ato shfaqen gjithashtu edhe në zonat qendrore. Kjo situatë do të vazhdojë deri në orët e vona të pasdites. Ndërkohë, jugu i vendit do të ketë reshje të pakta gjatë ditës së sotme, kryesisht rreth mesditës dhe pas mesditës. Kjo është periudha ku reshjet priten të jenë të dobëta dhe të lokalizuara në jug. Megjithatë, një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar, veçanërisht brigjet e Jonit, nuk do të përjetojnë reshje.
Temperaturat sot variojnë nga 7°C në mëngjes deri në 28°C në mesditë.
Çfarë pritet në ditët në vijim?
Nga dita e premte e deri në fillim të javës së ardhshme, moti do të vijojë të jetë i paqëndrueshëm. Edhe dita e nesërme (e premte) do të ketë prezencë reshjesh, megjithëse ato do të jenë më të pakta se sot. Reshjet do të jenë të lokalizuara në veri, verilindje dhe pjesërisht në zonat qendrore, ndërsa në juglindje priten vetëm pika të herëpashershme shiu.
Të shtunën reshjet do të jenë të përqendruara kryesisht në gjysmën lindore të vendit, përfshirë edhe jugun dhe juglindjen. Në zonat veriperëndimore dhe qendrore, reshjet do të jenë shumë më të pakta.
Të dielën reshjet përfshijnë të gjithë territorin shqiptar, me rrebeshe të shkurtra nga veriu deri në qendër. Në zonat jugore do të jenë më të pakta. Po ashtu, të dielën rikthehen edhe reshjet e dëborës në lartësi mbi 2000 metra mbi nivelin e detit, veçanërisht në majat veriore dhe veriperëndimore të maleve.
Java e ardhshme
E hëna sjell përmirësim të ndjeshëm të kushteve të motit. Vranësirat mbeten të pranishme, por mundësia për reshje është thuajse zero.
Temperaturat
Nesër pritet një rritje e lehtë e temperaturave. Edhe pse reshjet dhe vranësirat vazhdojnë, dita e shtunë sjell një freskim të lehtë. E diela do të shoqërohet me një rënie të temperaturave, si në mëngjes ashtu edhe në mesditë. Në zonat malore, temperaturat minimale mund të zbresin deri në 0°C apo -1°C, ndërsa maksimumet do të qëndrojnë rreth 26°C.
Në fillim të javës së ardhshme, temperaturat rikuperohen shpejt, duke u ngjitur sërish në 28–29°C.
Ky ishte informacioni për ditën e sotme. Do të shihemi sërish sonte në mbrëmje.