Aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa është vlerësuar me çmimin ‘Aktori i Evropës’ në edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit.
“Çmimi kryesor “Aktori i Evropës 2021” për aktrimin më të mirë i takoi një prej aktoreve më të rëndësishme në hapësirën e gjerë të teatrit Ballkanik, për rolin e ‘Nënës së Madhe’ në shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit.” -thuhet në faqen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit.
Çmimet u ndanë nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: prof. Meto Jovanovski (president), prof. Mimoza Rail dhe prof. Jani Bojadzi.
Çmimi për regjisorin më të mirë i takoi Laert Vasilit, për shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në romanin e Ismail Kadare, drejtuar nga Laerti Vasili, skenën dhe kostumin – Stella Lankori, muzikë – Ambra Marjanaku, drejtor artistik – Bashkim Hoxha . Aktorët: Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Justi, Laerti Vasili, Luli Hoxha, Suela Bako. Prodhimi: Laerti Vasili, Ministria e Kulturës dhe Teatri Bashkiak “Alexander Moisiu”, Durrës, Shqipëri.