Mëngjesin e sotëm u bënë publike të dhënat zyrtare për njësinë nr.10 në Tiranë ku u implementua votimi elektronik.
Fitues rezultoi PS me 6007 vota, ndjekur nga PD-AN me 4550 vota, si dhe LSI me 628 vota.
Por kush janë kandidatët që kanë marrë më shumë vota nga partitë kryesore?
Tom Doshi ka marrë 45 vota. Partia LSI ka arritur të marrë 628 vota në totoal.
Nga këto 81 kanë shkuar për kryetaren e kësaj partie, Monika Kryemadhi, e ndjekur nga Nora Malaj me 78 vota.
Koalicioni PD-AN ka mbledhur 4550 vota. Nga këto 492 kanë shkuar për kryedemokratin Lulzim Basha, Berisha ka mundur të sigurojë 238 vota, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se kandidati për deputet Agron Shehaj ka mundur të marrë 525 vota, praktikisht personi më i votuar në listën e PD-AN.
Partia Socialiste ishte fituesja e kësaj njësie. Ajo arriti të siguronte 6007 vota. Bie në sy fakti se kandidati që ka mundur të sigurojë numrin më të madh të votave dhe me një diferencë të ndjeshme është Fatmir Xhafaj. Edhe pse i renditur i 23 në listë Xhafaj mori 2795 vota, i ndjekur nga Ogerta Manastirliu me 281 vota. /S.H /NOA.al