Historia që i la të gjithë pa gojë/ Gazetari shqiptar lë profesionin dhe bën milionat me fermën e gomaricave

13 kilometra larg nga Elbasani, në fshatin Papër, një djalë i ri doli kundër të gjithëve për të ndjekur ëndrrën e tij. Mbaroi studimet, u kthye në shtëpi dhe turbulloi jetën e të gjithëve kur iu tha se do të ngrente një fermë, por jo një dosido… Ideja utopike e Elton Kikisë, sot është realitet suksesi…

“Unë e kam pasur në mendje gjithë kohës se çdo bëj me pronat në fshat dhe ideja ishte në kokë, por ende e papërpunuar. Unë vazhdova shkollën në Tiranë larg fshatit, punova për 13 vite si gazetar e tani lashë çdo gjë për t’iu përkushtuar fermës. Kjo ide është e përhapur jashtë vendit, u habita dhe thashë pse jo, pse mos ta bëj dhe ja kështu filloi çmenduria.”, tregon Eltoni

Dy vite më parë edhe prindërit i dolën kundër kësaj ideje që Eltoni e quan çmenduri. Madje, edhe fshatarët e zonës nuk e lanë të qetë Eltonin për të marrë përgjigjet e pikëpyetjeve dhe habisë që shoqëronte.

“Shumë, përfshirë edhe prindërit, më thanë se isha i çmendur. Prinderit ishin gati të më thonin na jep lekët e shkollës mbrapsh. Për njerëzit ishte surprizë. Babai tha unë heq dorë nuk merrem më,nuk shkel më në fshat. Por me kalimin e kohës u bindën që ideja ia vlente.”

Eltoni na tregon se habia më e madhe ishte nga tregtarët e gjësë së gjallë, kur shihnin se një djalë i ri interesohej të blinte gomarin e tyre që ata vetë mezi prisnin ta hiqnin qafe.

“S’ia kam treguar për çfarë e doja. 2-3 gomerët e parë ishin dështim se të tria ato gomarica ishin të vjetra në moshë, nuk lindin, nuk bënin më qumësht, s’kishin më asnjë funksion. Ishin para të hedhura kot. Duke qenë se po zhduken si kafshë mezi kam gjetur dhe çmimet janë pak të majme. Më të shtrenjtin e kam blerë 750 mijë lekë.”

Në fermë rriten 22 gomarica dhe vetëm 4 prej tyre ushqejnë të vegjëlit me qumësht. Qumështi i gomaricës është i njohur për vlerat e larta ushqyese dhe mjekësore dhe kushton dhjetra herë më shumë se qumështi i lopës, ku 1 litër prej tij shkon deri në 50 euro.

Ndryshe nga qumështi i lopës apo i dhisë, ky qumësht ka një veçanti tjetër: duhet të konsumohet brenda 24 orëve që nga mjelja, sepse kështu i ruan të gjitha vlerat e tij dhe mbi të gjitha nuk duhet të kalojë në temperaturë të lartë vlimi, e mira është të mos kalojë fare në vlim.

“Ky qumësht është shumë i pasur në vlera. Rekomandohet ta pijnë personat që kanëproblem me rrugët e frymëmarrjes. Trajton kollën, astmën, ftohjen, bronshitin e në studimet e fundit ka dalë që është edhe antialergjik shumë i mirë. Njerëzit e kanë preferuar shumë edhe për periudhën post Covid.”, tregon Eltoni.

Momentalisht Eltoni është shkëputur nga çdo angazhim tjetër, për t’iu kushtuar krejtësisht idesë, që në fillim e besoi vetëm ai, por tani shumë kush do dëshironte të ishte në vend të tij.

“Tani pas dy vitesh, ferma ka filluar të japë fitimet e para. Nëse do më jepej mundësia të kisha zgjedhur diçka tjetër, nuk do e bëja, por do zgjidhja përsëri të njëjtën ide. Por nuk do ndalem vetëm te qumështi i gomaricës si produkt kurativ e kozmetik, por në planet e ardhshme dua që këtë vend ta kthejnë një agroturizëm.”

Pas dy vitesh mund e sakrifica, për Eltonin, e pamundura duket se nuk ekziston më. Ai e ka provuar në lëkurë se e ardhmja u përket guximtarëve, atyre që shikojnë shtigje të reja, aty ku as rrugë nuk ka… Romina Braho/ Abc