Për Vilma Dulen, 27 vjeçaren nga Vlora që punonte si menaxhere e burimeve njerëzore pranë një call center-i Italian, mëngjesi i 27 gushtit 2013 duhej të ishte një mëngjes i zakonshëm si gjithë të tjerët. Në të vërtetë, mëngjesi i asaj të marte do të ishte më i hidhur se acidi që i shpërfytyroi fytyrën duke rrezikuar seriozisht shikimin dhe shkaktuar lëndime serioze në kraharor dhe krahë. Vajza e re do të sulmohej rrugës për në punë nga një person i panjohur, duke shenjuar në këtë mënyrë edhe një ndër rastet e para të këtij lloj krimi në vendin tonë. Policia do të merrte në pyetje asokohe shumë ish-punonjës të call center-it ku punonte Vilma, por pa asnjë rezultat, duke klasifikuar ngjarjen si vepër penale e nxitur nga inati. E ndërsa kanë kaluar 4 vjet nga ngjarja barbare, Vilma Dule ka vendosur të shfaqë fytyrën e saj në rrjete sociale..fytyrën e një luftëtareje që nuk u dorëzua kurrë, të cilës nuk arritën t’i shpërfytyronin shpirtin e as dëshirën për jetë.
” vite më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë. Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë. Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta “shpërdoroja” duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur. Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e Fatit.
Sot, pas 4 vitesh, jam një Grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.
Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.
Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një GRUAJE QË NUK U DORËZUA KURRË.”