Gazetari dergon babain per kurim ne Turqi, tregon cfare i thane mjeket turq per pacientet shqiptare, gabimi i madh qe bejne

Gazetari shqiptar Marjon Gorica, ka vendosur që të dërgojë babain e tij në Turqi për të marrë trajtim më të specializuar pasi u infektua me koronavirus.

Gorica thotë se:“Realisht në vendin tonë ndodh shpesh herë një problematikë. Ne jemi stepur sa i përket ndjekjes spitalore dhe rëndom ka ndodhur që kemi diskutuar me njëri-tjetrin që të neglizhojmë regjime spitalore për persona që është e detyrueshme ndjekja e regjimeve. Këto gabime na sollën në këto situata që realisht nuk janë të mira për secilin nga ne.

Para se të vija këtu, tim eti iu kërkua të ndiqte regjim spitalor, ashtu siç mund ti jetë kërkuar dhe shumë qytetarëve të tjerë.

Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, u detyruam ta sillnim në një spital jashtë vendit. Por me sa kam kuptuar, edhe pas kontakteve me mjekë turq për gjendjen e tim eti më kanë thënë që problem më i madh i personave që kanë ardhur këtu është i atyre që janë kuruar në shtëpi, pra jo persona që kanë ndjekur regjime spitalore.

Ky është një problem dhe do i thoja të gjithëve të mos neglizhojnë regjimin spitalor”, tha Gorica duke shtuar se aktualisht në Turqi mund të jenë duke u trajtuar rreth 45-50 pacientë nga Kosova dhe Shqipëria.

Gorica zgjodhi të mos tregonte koston e kurimit në spitalet private në Turqi, por shtoi se varion dhe në bazë të ditëve që qëndron në spital. Ndërsa për kontaktin me mjekët për të mësuar gjendjen e babait, tha se e ka një herë në ditë pasi është vendosur një orar zyrtar.