Edhe 3 ditë kanë mbetur nga afati i vënë nga qeveria italiane për të huajt që duan të pajisen me një leje qëndrimi. Afati mbyllet më 15 gusht.
Në Itali përllogaritet të jetojnë pa pasur të drejtën e qëndrimit rreth 670 mijë të huaj. Janë persona që u ka skaduar leja e qëndrimit e nuk kanë mundur ta përtërijnë, që kanë ardhur për turizëm apo studime e nuk janë kthyer më në vendlindje, ata që kanë hyrë në mënyrë të paligjshme.
Nga 1 qershori deri më 15 gusht tashmë, pasi afati fillestar ishte deri më 15 korrik dhe u shty me vendim të qeverisë italiane, për shumë prej tyre që kanë një vend pune, hapet një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim.
Të paktën për ca kohë, shkruan shqiptari i Italise. Kjo është periudha gjatë të cilës mund të nisen kërkesat e legalizimit të marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit në Itali, legalizim i parashikuar nga neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 i njohur ndryshe si dekreti Rinisja.
Kur mund të paraqitet kërkesa e legalizimit?
Kërkesat paraqiten vetëm online nga data 1 qershor deri më 15 gusht, nga ora 7:00 deri më 22:00 përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/, siç veprohet tashmë prej vitesh kur kërkohet një kuotë gjatë dekreteve të flukseve. Nuk është e nevojshme të nxitohet për paraqitjen e kërkesës, nuk ka një kufi maksimal kërkesash të pranueshme.
Kush mund të paraqesë kërkesë legalizimi të punës?
Kërkesa mund të paraqitet nga punëdhënësi që do të lidhë një marrëdhënie pune të re me shtetas të huaj të pranishëm në territorin italian, ose që do të deklarojë ekzistencën e një marrëdhënieje pune të parregullt me shtetas italianë, evropianë ose të huaj të pranishëm në territorin italian. Punëdhënësit mund të jenë:
– italianë,
– shtetas të BE-së,
– jokomunitarë me lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë,
– jokomunitarë me kartë qëndrimi si familjarë të një shtetasi të BE-së,
– jokomunitarë me kartë qëndrimi të përhershme si familjarë të një shtetasi të BE-së.
Kush mund të legalizohet?
Kur është fjala për legalizim të marrëdhënies së punës me të huaj apo të lidhjes së një kontrate të re me një të huaj, mund të paraqitet kërkesë legalizimi vetëm për punonjësit të pranishëm në Itali që para 8 marsit 2020 e që nuk janë larguar asnjëherë nga Italia prej asaj date.
Mund ta dëshmojnë me shenjat e gishtërinjve dhënë forcave të rendit, ose me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë apo përmes “deklaratës së pranisë” që bëhet në kuesturë brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali, ose me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore apo private që kryejnë shërbim publik (për shembull, kartelë klinike e një spitali, librezë abonimi e transportit publik, apo një dokument shkolle, kur i huaji ka bij të mitur) që duhet të paraqesin këtë dokumentacion kur të thirren në Sportelin Unik për Imigracionin.
Siç u tha më lart, punëdhënësi mund të paraqesë kërkesë legalizimi në favor të një shtetasi të huaj të pranishëm në territorin italian që para 8 marsit. Këtu hyjnë edhe kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare (pavarësisht nga se kur kanë paraqitur kërkesë), ata të cilëve u është mohuar e drejta e qëndrimit, të parregulltit, mbajtësit e një lejeqëndrimi të vlefshëm, të huajt që kanë marrë një masë dëbimi për shkelje të rregullave të hyrjes dhe qëndrimit në Itali, ata që kanë leje qëndrimi që nuk mund të konvertohët në leje pune (për shembull lejeqëndrim për studime, turizëm, trajtim mjekësor, arsye fetare, mbrojtje të veçantë).
Ç’të ardhura duhen pasur?
Për të përfituar nga procedurat e legalizimit në sektorët e bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit, punëdhënësit duhet të kenë të ardhura të tatueshme jo më të ulëta se 30.000€. Nëse i njëjti punëdhënës kërkon legalizimin për disa punonjës, do të jetë Inspektoriati territorial i Punës që do të vlerësojë përshtatshmërinë e aftësisë ekonomike të punëdhënësit nga pikëpamja e përmbushjes së kriterit të të ardhurave.
Në rastin e legalizimit të bashkëpunëtorëve familjarë:
kur punëdhënësi është person juridik (komunitet fetar, shtëpi fëmijësh, shtëpi-familje, azil të moshuarish, kazermë ushtarake etj.), të ardhurat vjetore nuk mund të jenë nën 30.000€.
kur punëdhënësi është person fizik të ardhurat duhet të jenë:
– të paktën 20.000€ kur familja përbëhet vetëm nga një person;
– nuk duhet të jenë më të ulëta se 27.000€ në rast kur familja ka disa pjesëtarë bashkëjetues, të ardhurat minimale.
Në rastin e punëdhënësit person fizik, kur të ardhurat janë të pamjaftueshme mund të mbidhen me ato të bashkëshortit dhe të familjarëve deri në shkallë të dytë edhe nëse nuk janë bashkëjetues.
Një i moshuar që jeton vetëm e nuk ka të ardhura të mjaftueshme, a mund të punësojë personin që kujdeset për të? A mund ta bëjë punësimin një familjar i tij?
Për të legalizuar një marrëdhënie pune me një kujdestar nuk duhen treguar të ardhura por një certifikatë mjekësore nga e cila të rezultojë kufizimi i vetëmjaftueshmërisë. Në kërkesën që paraqitet online duhen shënuar vetëm të dhënat e certifikatës mjekësore, origjinali duhet të paraqitet në origjinal kur punëdhënësi e i huaji të thirren në Sportelin Unik.
Marrëdhënien e punës me kujdestarin për një person me aftësi të kufizuara mund ta lidhë edhe një familjar. Duhet mbajtur parasysh që në këtë rastin e fundit, pra kur kërkesën nuk e bën vetë i interesuari që ka aftësi të kufizuara për shkak të sëmundjes por një familjar i tij, ky duhet të tregojë se ka të ardhura të mjaftueshme.