E fundit/Kushtet qe duhen plotesuar dhe rregullat qe duhet te dini nese udhetoni nga aeroporti Rinasit

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin e Aviacionit Civil është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për rifillimin gradual dhe të sigurtë të aktivitetit të transportit ajror dhe ky eshte nje lajm i mire per te gjithe.

Duke konsideruar deklaratën e Komisionit Evropian të datës 11 qershor 2020, sipas së cilës rekomandohet ndër të tjera heqja e kufizimeve të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnje- Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, duke filluar nga 1 Korrik 2020 si dhe duke konsideruar angazhimet e disa shteteve të tjera të Zonës Shengen për të ndjekur të njëjtën qasje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se duke filluar nga data 22 qershor 2020, do të fillojnë veprimet për operimin e fluturimeve të rregullta ndërkombëtare, në destinacionet, sipas skedulave që do të miratohen dhe komunikohen nga Autoriteti i Aviacionit Civil në vijim.

Përgjatë javës që fillon në datë 22 qershor 2020, për skedulat e aktivizuara, shoqëritë ajrore duhet të marrin masa e nevojshme për të mundësuar rezervimin e fluturimeve për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Shoqëritë ajrore duhet të bëjnë çdo përgatitje dhe të kenë gati planet e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, të miratuar me Urdhërin Nr.169, datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkaq Autoriteti i Aviacionit Civil do të monitorojë rigorozisht zbatimin e këtyre masave.

Operatorët ajrorë që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga TIA për në aeroportin e destinacionit të synuar, si dhe për kërkesat që përmbahen në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, si dhe të rregullave të kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në aeroportin e destinacionit.