E bujshme, Rama largon nga Kuvendi deputetin më të rëndësishëm të qeverisë së tij

Ish-kryeministri i vendit, Pandeli Majko nuk do të jetë deputet i legjislaturës së re të Kuvendit. I vendosur në vendin e 19-të në listën e PS-së të Tiranës, Pandeli Majko nuk ka arritur që të kapë numrin e mjaftueshëm të votave personale për të thyer herësin, duke humbur postin si deputet. Ministri i Diapsorës lindi në Tiranë, më 15 nëntor 1967 në Tiranë, e ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe atë të Drejtësisë. Karriera e tij politike nisi si kryetar i Forumit Rinor të PS, nga viti 1992-1995 për t’u bërë më pas njeriu më i rëndësishëm i vendit në kohë të vështira.

Përgjatë viteve 1998-1999, Majko mori postin e kreut të qeverisë, të cilin e rimori për 8 muaj edhe në vitin 2002. Duke luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Kosovës dhe bombardimeve të NATO-s në Serbi për të sjellë fundin e përplasjeve.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013, Majkos iu besua detyra si ministër i Diaporës, me misionin për të mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të vendit. Por nuk ia doli! Në përballje me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, emigrantët nuk arritën të votonin.