Prej 17 vitesh lufton me kancerin e gjirit, ishte vetëm 36 vjeçe kur do të diagnostikohej më këtë sëmundje, por Drita Haxhillari nuk i humbi shpresat në asnjë moment. Në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv , ajo rrëfeu historinë e saj frymëzuese, të një gruaje plot shpresë dhe forcë që dëshiron të jetojë çdo moment të jetës.
“Isha 36 vjece kur e zbulova, isha e shokuar, më ra bota për sipër. Endesha rrugëve të Tiranës atë ditë sepse ndjeva një sëmbim në gjoks dhe u shqetësova por vetëm për një çast. Pas të gjitha ekzaminimeve rezultoi se vuaja me kancer në gjoks. Për një moment mu shemb bota por e kapërceva shumë shpejt. Unë atëherë isha beqare, isha e vetme, por kisha prindërit pranë.
Pavarësisht sëmundjes, Drita është përpjekur të bëjë një jetë aktive, të punojë dhe të angazhohet në shoqëri.
“Para 17 vitesh punoja mësuese në shkollë të mesme, isha dhe njëherësh aktiviste në veprimtaritë kulturore të shkollës por më vonë peripecitë e jetës. suprizat e pakëndshme më bënë që të shkëputem. Punova dhe në vit në qytetin e Poliçanit ku jam e martuar më pas kalova në një qendër sociale për fëmijët e ngujur. Pas qendrës sociale fillova të angazhohesha me krijimitari artistike që e kam pasur dhunti që e vogël” tregon ajo.
Një kalvar i gjatë vuajtjesh jeta e saj por optimizmi që e karakterizon ka bërë që të luftojë fortë dhe gjatë kësaj kohe nuk ka hequr dorë as nga dashuria. Në moshën 36 vjeçare, pikërisht në dhomat e spitalit onkologjik ku po kurohej do të njihte dashurinë e jetës.
“Njohja me bashkëshortin ka ardhur në spitalin onkologjik. Unë isha beqare dhe të gjitha shoqet e dhomës nga rrethe të ndryshme ishin të martuara dhe më mbanin si veshka midis dhjamit kur I thojnë, më donin shumë. Mirëpo unë nuk qaja, nuk thoja çfarë më ka ndodhur mua por çdo ditë merrja gazetën e blija dhe lexoja horoskopin ku do të mbjeri fati. Imagjino që të jesh me atë sëmundje dhe të kërkosh partnerin e ardhshëm është e habitshme. Më kujtohet si tani, ishte data 26 Janar nuk e harroj kurrë këtë datë, duke lexuar horoskopin thoshte ‘Sot dita me fat për Demin’ dhe unë sic po rrija aty, po shikoja nga dera, më dukej sikur do vinte princi i kaltër nga dera. Si rastësi pastaj erdhi një babaxhan bashkë me një zonjë, dhe më pyeti se ku ndodhej një dhomë aty pranë dhe unë e drejtova. Pas dy tre ditësh erdhi përsëri ky zotëria, dhe folëm dhe më ftoi për një kafe, dolëm për të pirë kafenë dhe aty unë pa turp fare i propozova. Ai ishte 50 vjec ndërsa unë 36, kemi diferencë të madhe por dashuria nuk njeh moshë. Tani kemi 17 vite bashkë, më ka ndihmuar tej mase, më ka shtrirë dorën” rrëfen më tej Drita.
Ndërsa pengu i saj më i madh në jetë për shkak të sëmundjes, është fakti që nuk u bë dot nënë.
“U tregova egoiste në kuptimin e mirë të fjalës, sepse po të lindja fëmijë, është shumë e vështirë të lësh një fëmijë pas, sepse jam koshiente që kjo sëmundje nuk do më mbajë shumë gjatë në këmbë. Nëse mbyll sot të paktën të mos lë dikë pas sepse është shumë e dhimbshme. Kështu që kam dy djemtë e bashkëshortit, jam bërë shoqe me ta” tregon ajo.
Drita Haxhillari pas heqjes së njërit gji dhe pas kryerjes së 5 operacioneve vazhdon ende të luftojë për jetën, me shpresë dhe forcë.
“Nga biopsia më doli tumor malinj, por fati im i madh është që nuk preku në organet e brendshme. Pas heqjes së gjoksit kam kryer edhe 5 operacione të tjera, sepse më dilnin mbi lëkurë, ndërsa nën lëkurë kanë dal tani në fund në damarin e qafës. Dhe meqenëse operacioni nuk kryhej se mund të rrezikonte pjesën e fytit, doktorët vendosën të më bëjnë kimio’’ tha Drita.
Ajo rrëfeu edhe frikën e saj më të madhe:
Frika ime më e madhe është që im shoq mos më lërë vetëm, nuk kam fare frikë të vdes, kam jetuar mjaftueshëm me këtë sëmundje, të jetosh për 17 vite nuk është e lehtë. Kam bërë shumë beteja, shumë sfida.