Sipas sinoptikanes se njohur Tanja Porja, sot në orët e pasdites priten reshje të shkurtra dhe lokale, kryesisht në zonat juglindore, si pasojë e një qarkullimi ciklonar të fuqishëm të pozicionuar në veri të Greqisë, i cili sjell rrebeshe afatshkurtra në rajon, percjell shqiptari.net
Nga dita e premte dhe në vijim, parashikohet që moti të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të lehta dhe kalimtare. Gjatë mesditës dhe pasdites së të premtes, pritet sërish shtim i vranësirave në juglindje, që mund të sjellin reshje të shkurtra lokale, por më pas moti kthjellohet në të gjithë vendin.
Nga e shtuna e në vazhdim, moti do të jetë i qëndrueshëm dhe me diell, pa reshje në territor. Temperaturat minimale në mëngjes do të shënojnë rritje të lehtë, ku në zonat malore do të zbresin në 9°C, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare, përfshirë edhe Tiranën, do të jenë nga 13 deri në 16°C.
Në mesditë, pritet një rënie e lehtë e temperaturave, me maksimumet që do të shkojnë deri në 34°C, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit. Të shtunën në mëngjes pritet një tjetër rënie e lehtë, por në mesditë vlerat mbeten të qëndrueshme, me maksimumin rreth 34°C.
E diela do të sjellë freski si në mëngjes, ashtu edhe në mesditë. E hëna dhe e marta do të vijojnë me një ulje të lehtë të temperaturave në orët e mesditës, ndërsa moti mbetet i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit. Vranësirat do të jenë të pakta dhe të përqendruara në zonat malore.
Në fundjavë, era në bregdet pritet të jetë mesatare dhe hera-herës paksa problematike për pushuesit, por në përgjithësi, kushtet atmosferike në vijën bregdetare do të jenë të favorshme.
Krahasuar me pjesën tjetër të Mesdheut perëndimor dhe gadishullit Iberik, ku priten temperatura që shkojnë deri në 40°C për shkak të një vale të të nxehtit, territori shqiptar do të përjetojë një mot të këndshëm dhe komod. Edhe Italia pritet të përjetojë temperatura të larta, deri në 39–40°C, ndërsa vendi ynë do të ketë vlera maksimale më të moderuara, 30–34°C.
Në pjesën tjetër të Europës verilindore dhe Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, fundjava do të karakterizohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe temperatura të përshtatshme për aktivitete në natyrë.
Siç është theksuar që në fillim të muajit, nuk priten ditë të qershorit ku temperaturat maksimale të jenë nën 30°C. Deri tani, dita më e nxehtë ka shënuar 38.4°C. Megjithatë, nuk presim që këto vlera të përsëriten gjatë qershorit, me përjashtim të datës 27 dhe ditëve në vijim, ku një valë tjetër e të nxehtit mund të përfshijë rajonin.
Deri atëherë, moti në vend do të mbetet i qëndrueshëm dhe i favorshëm, me temperatura që luhaten nga 30 në 33°C në mesditë.