“Çohu, vishu, lyej buzët’, gazetarja Rezarta Reçi tregon si e përballoi sfidën me kancerin

“Kam kurajon të jem pjesë e jetës, ta dua atë”, kështu tha gazetarja Rezarta Reçi ndërsa rrëfente se si e përballoi ajo betejën me kancerin.

Prej 4 vitesh Rezarta është në luftë me kancerin, por ajo në një intervistë për “Profil” në Euronews Albania ajo ka rrëfyer se nuk e ka lejuar këtë sëmundje t’i cenojë asaj aktivitetet e përditshme apo daljet me familjarët apo miqtë.

“Unë kam ecur përpara dhe të gjithë më kanë zili, në kuptimin e mirë të fjalës. Më thoshin si ja dole? Realisht unë nuk zgjodha të jem e goditur, e mora vesh që jam e goditur, arrita ta fsheh, sepse nuk doja kimioterapinë, vazhdojë të mos e dua, por rrethanat familjare më shtynë drejt përzgjedhjes. Ti bindesha.

Nuk kam ndenjur një ditë e shtrirë në krevat. Dilja, dilja vazhdimisht, herë me këmbë e herë pa këmbë, herë me miq e herë pa miq, por nuk u dorëzova. Vetëm kjo ka qenë fuqia ime, të mos dorëzohesha edhe kur nuk ndjehesha mirë dhe thoja nuk kam fuqi të dal deri te “Pazari i ri”, i thoja vetes, “Po ç’do bësh shtirë? Çohu vishu, lyej buzët”, e kam kurajon të jem pjesë e jetës, ta dua jetën e të jem pjesë e saj”,-tha Reçi.