Çfarë ka ndodhur?Si asnjeher shpërthen ashpër Skënder Brataj

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skendër Brataj ka reaguar ashpër ndaj të gjithë atyre që po “fusin hundët” në punën e mjekëve dhe ndaj teorive që po hedhin ndaj vaksinave kundër Covid-19.

Brataj me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se të gjithë po bëjnë si mjekë, ndërkohë që nuk dinë asgjë. Ai shkruan se ka rrezikuar jetën e tij në betejë me virusin dhe vazhdon ta rrezikojë për shkak të profesionit që ka zgjedhur dhe këtë nuk ia ka këshilluar as Soros, Bill Gate, apo politika.

Ai thotë se ai dhe familjarët e tij janë vaksinuar duke ironizuar akuzat për propagandë për injektimin e vaksinës.

“Prokurori dhe institucionet përkatëse, na ndihmoni! Ndalojini përhapësit e gënjeshtrave, përhapësit e terrorit, përhapësit e panikut, përhapësit e pa sigurisë!” shkruan Brantaj ndër të tjera në postimin e tij.

Postimi i plotë i Skënder Bratajt: KUR INJORANCA NUK NJEH KUFIJ!! MJEK KU JENI?

Në punën tonë i fusin hundët politikanët, gazetarët, konspiracionistët, injoranca, të ashtu quajturit mjek popullor abuzivë, mediat, prokuroria, gjykata etj! Ne jemi heronjtë e të kaluarës, ne jemi viktimat e përherëshme, ne jemi të korruptuarit, ne jemi shërbëtorët, ne jemi të betuarit e Hipokratit, ne jemi të detyruar të shërbejmë se na paguajnë, ne jemi të detyruar se të gjithë ata paguajnë taksat! Ne ofendohemi, pështyhemi, qëllohemi, burgosemi, dënohemi me ose pa prova! Ne a paguajmë taksa? Ne ku i fusim hundët? Ne ku jemi? Mbrëmë në darkë duke xhiruar kanalet televizive, çfarë të shikoje? Të gjithë me gishtin tregues ndaj nesh mjekëve, të gjitha kategoritë e mësipërme! Diskutimi? Vaksina dëmton, dikush fiton dhe komandon! Mu shkel e drejta qytetare, nuk më detyron dot të bëj vaksinën! Po ata njerëz që humbën jetën, po ata njerëz që janë invalid dhe mezi marrin fryme pasi bëjnë 100 hapa? Po ata të shtruar në spital, po ata të infektuar, a kanë nevojë të orientohen, të ndihmohen, të shërohen? Në Itali vaksinimet e para u prezantuan në fund të viteve 1800. Falë përvojës Europiane me vaksinën e lisë dhe kërkimet mbi bakteret të Pasteur dhe Koch. Vaksinimi i parë ishte vaksinimi i lisë, i bërë i detyrueshëm nga ligji CrispiPagliani (1888).

Mendimi i parë: pse duhet të bësh mjeksinë në këtë vend ku mjeksinë e di më mirë kushdo veç ne mjekëve? Pse duhet të bësh mjeksinë në këtë vend ku paguhesh më pak se të sipërpërmendurit?

Duke parë se jetojmë një periudhë pandemie, gjë jo e zakonshme, po aq e pa zakonshme është edhe fillimi i kësaj vjeshte! Fillojnë emisionet televizive si gjithmonë me pakënaqësitë e tyre duke rreshtuar analistët, politikanët, ekonomistët e këdo tjetër përballë njëri-tjetrit. Ky shtator është disi i veçantë, ky shtator fillon me pandeminë, me SarsCov2! Ky shtator fillon me analizën e pandemisë, me gjendjen aktuale të saj! Po kush e bën më mirë këtë analizë dhe interpretim të pandemisë? Sigurisht, POLITIKANËT, KONSPIRACIONISTËT, AVOKATËT, ANALISTËT! Tek-tuk ndonjë mjek me apo pa rol institucional që i përshtatet ambientit dhe agresivitetit të injorancës. Diskutimi mbi të drejtat e njeriut, diskutimi mbi ekzistencën ose jo të virusit, gjyqi 2 i Norembergës etj, janë shumë të rëndësishme, veç shëndetit të qytetarëve! Duket se më e rëndësishme është fakti nëse do të bëhet me detyrim vaksina, apo nëse është e rëndësishme bërja e vaksinës! Të dëgjosh një konspiracionist ti thotë një profesori injorant, nuk merr vesh nga mjeksia. Ti thuash katër mjekëve në studio nuk merrni vesh, më shumë keni dëmtuar sesa keni shpëtuar. Vetëm unë konspiracionisti kam shpëtuar më shumë se ju! INJORANCA galopante nuk njeh më kufij!

Dikush tjetër shkruan një kryeartikull: Gjyqi i Nurembergut 2 është në përgatitje: OBSH dhe udhëheqësit botërorë do të duhet të përgjigjen për “Krimet Kundër Njerëzimit”.

Tre pyetjeve tuaja të këtij artikulli i përgjigjem vetëm njëher: Unë Dr. Skender Brataj u sëmura nga Covid-19 në mars të vitit 2020, rrezikova jetën time në betejën me virusin, vazhdoj ta rrezikoj se këtë profesion e kam zgjedhur vetë. Nuk ma ka këshilluar as Sorosi, as Bill Gates, as Pfizer, Astrazeneca, as politika!

Unë u vaksinova, djali im student u vaksinua, gruaja ime u vaksinua, nëna ime u vaksinua, motra ime u vaksinua, vëllezërit e mi u vaksinuan, familjarët e mi e kanë bërë të gjithë vaksinën.

Si mendoni se jam kaq injorant sa të sakrifikohem për Sorosin dhe Bill Gates? Do sakrifikohem me familjen time për t’ju mbushur mendjen juve? Për asnjë arsye nuk do ta bëja!

Më kujtohen konspiracionistët e viteve 2010 kur thoshin nëpërmjet mykut që kishin në tru se do të zhdukej njerëzimi, do të përmbysej bota në vitin 2012?! Erdhën shpëtimtarët! Popull i prisni, këta do ta çojnë ujin në stratosferë, do ta zbresin në atmosferë, do ta purifikojnë nga të gjitha viruset, bakteret, protozoarët, prej mykut dhe do t’ua japin me oksigjen të pastër! Veç mykun nga truri i tyre nuk e heqin dot! Normal, çdo e mirë e ka një të keqe, myku ka kohë që komandon trurin e tyre! Shyqyr që janë pak dhe bëjnë vetëm zhurmë! A kanë përgjegjësi politikanët, mediat, gazetarët, analistët, avokatët që flasin për mjekësinë? A kanë përgjegjësi për mesazhet e gabuara që ata përcjellin? A kanë ata përgjegjësi për dëmin që i sjellin shëndetit të njerëzve? Sigurisht që kanë!

A KEMI PËRGJEGJËSI NE MJEKËT QË LEMË TË FUSIN HUNDËT NË PROFESIONIN TONË TË GJITHA KATEGORITË?

Sigurisht që kemi. Mjekësinë e bëjmë dhe e aplikojmë sepse besojmë në shkencë, e bëjmë sepse e duam atë, e bëjmë sepse e duam jetën, e bëjmë sepse e mbrojmë jetën.

Politikanë, Analist, Avokat, Konspiracionist, Shërues popullor e kushdo qofsh:

MOS I FUSNI HUNDËT NË PROFESIONIN TONË!

Jemi ne mbrojtësit e jetës, jemi ne që kemi studiuar minimumi 11 vjet për të ushtruar këtë profesion, jemi ne që jemi nxënës gjithë jetën, jemi ne që duhet të përditësohemi me lekët tona për të marë kreditet se nuk na përsëritet liçenca pas pesë vjetësh.

Prandaj STOP të bërit mjek me liçencat tuaja! Ju plotësoni boshllëkun ligjor dhe zbatoni ligjin. Ne nuk bëjmë asnjë nga profesionet tuaja!

Media STOP hapsirës televizive personave jo të autorizuar, jo profesionist, jo mirë mendërisht!

Prokurori dhe institucionet përkatëse, na ndihmoni! Ndalojini përhapësit e gënjeshtrave, përhapësit e terrorit, përhapësit e panikut, përhapësit e pa sigurisë!

KOLEGË NËSE JE DAKORT, VENDOSE KËTË STATUS NË MURIN TËND! NE MBROJMË JETËN.

VAKSINAT JANË ARMA JONË NË KËTË MOMENT! QYTETARË VAKSINOHUNI, UNË U VAKSINOVA! DR.SKENDER BRATAJ