Përbërësit:
800 gr mish pule
6 thelpinj hudhër
5-6 lugë gjelle miell (2 lugë miell misri+3 lugë miell gruri)
100 gr gjalp
3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë dhe piper i zi
500 ml qumësht
Ngrohim një lugë gjelle gjalp, një lugë gjelle vaj dhe skuqim copat e pulës. Sa të skuqen pak shtojmë thelpinjtë e hudhrës dhe i kaurdisim së bashku. Shtojmë ujin e valuar, kripë dhe e lëmë mishin e pulës të ziejë për 20 minuta.
Largojmë mishin nga tenxherja dhe kullojmë lëngun në kullesë rreth 500-600 ml lëng.Ndërkohë vendosim 2 lugë gjelle vaj ulliri, 2 lugë gjelle gjalp dhe kaurdisim miellin sa të zverdhet pak. E shuajmë me qumësht, e trazojmë dhe më pas shtojmë lëngun e pulës duke e trazuar vazhdimisht me qëllim që të bëhet një masë kremoze, në pamje si një mualebi (kosistencën e rregullojmë sipas shijes tuaj). Sa të marrë valë, e largojmë. Vendosim copat e mishit në tepsi dhe e mbulojmë me çervish.
Shkrijmë gjalpin e mbetur dhe spërkatim sipër çervishin. E vendosim në furrë për 10-15 minuta dhe e shërbejmë të ngrohtë.