Skënder Brataj gjatë një interviste për Abc News, sqaroi dukurinë e ndodhur gjatë kohëve të fundit. Ndonëse numri i të prekurve me Omicron edhe në vendin tonë ka qenë i lartë, shumica e njerëzve rezultojnë negativë pas testeve të kryera.
Pse ndodh kjo?
Sipas Brataj kjo ndodh pasi këto teste janë krijuar për të identifikuar format e para të virusit, prandaj çdo person me simptoma duhet të izolohet.
“Është folur gjithmonë për forma të ndryshme dhe teste të ndryshme. Nga një variant në tjetrin ndryshon ndjeshmëria ndaj tamponit pasi ai është krijuar për format e para të virusit. Fakti që del negativ nuk duhet ta përjashtosh. Nëse ke simptoma gripi nuk duhet të shkosh në punë sepse ngjitës është edhe gripi. Duhet të mendojmë gjithmonë që kemi Omicron. Raporti është i lidhur me mjekun e familjes dhe specialistin. Deri në 14 ditë është e drejta e mjekut të familjes.
Vitin e kaluar ishte variant Delta që kishte një virulencë më të lartë që nuk linte asnjë lloj virusi tjetër. Omicron ka formën e lehtë por karakteristikat janë të ndryshme. Sa më shumë viruset e tjera të marrin terren domethënë që Omicron është duke u zhdukur.”- u shpreh Brataj.
Mjeku shtoi përhapja e Omicron nuk ka kapur ende pikun, por varianti mund t’i infektojë të gjithë. Si ata që janë vaksinuar ashtu dhe të pavaksinuarit.
Sipas tij, në fillim të shkurtit do të jetë piku i kësaj pandemia dhe më pas do të kemi rënie të rasteve pozitivë.