A do ketë ndryshim të masave anticovid? Ja cfare vendosi Komiteti Teknik diten e sotme

Nisur nga situata epidemiologjike në vend, Komiteti Teknik i Eksperteve ka vendosur të lërë në fuqi masat aktuale, duke nënvizuar rëndësinë e vaksinimit, sidomos në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

“Shumë i rëndësishëm është momenti i vaksinimit të personelit arsimor. Kemi thënë që personeli arsimor do të jetë i vaksinuar deri ditën që do të fillojë mësimi. Për këtë punë është lënë edhe vaksinimi i hapur. Nëse do të ketë arsimtarë ose personel tjetër arsimor që nuk është vaksinuar, atëherë atyre do t’u duhet që të provojnë faktin që nuk janë të infektuar, nëpërmjet dokumentit të PCR të negativizuar, e cila do t’u kërkohet që të jetë e paraqitur çdo javë.

Përsa i përket vaksinimit të personelit mjekësor, të studentëve do të vazhdojë të jetë vaksinimi i hapur. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që akoma nuk e kanë bërë, të rendin shpejt drejt qendrave të vaksinimit vetëm me kartën e tyre të identitetit dhe ta bëjnë vaksinën menjëherë”, u shpreh kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve prof. Mira Rakacolli.

Duke folur për ecurinë e vaksinimit antiCovid, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino deklaroi se ka një rritje të mbulesës vaksinale, duke theksuar se nuk ka humbje të vaksinës.

“Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit në lidhje me dozat e dyta. Ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale të rretheve të ndryshme, të bashkive të ndryshme.

Dua të përmend këtu një bashki të madhe që është bashkia e Durrësit, e cila ka dalë nga ajo që ne i themi zona e kuqe që është mbulesa më e ulët dhe ka dalë në një zonë tjetër. Përsa i përket bashkisë që ka mbulesën vaksinale më të mirë me një dozë tek 80%, me dy doza 68 % është bashkia e Gjirokastrës, e pasuar nga bashkia e Delvinës.

Në veri kemi dy bashki të cilat kanë një mbulesë vaksinale mjaft të mirë, që është bashkia e Mirditës edhe bashkia e Pukës. Por kësaj radhe përveç Durrësit, në veri kemi edhe një përmirësim të mbulesës vaksinale dhe në bashkinë e Tropojës dhe në bashkinë e Kukësit. Çdo vaksinë është përdorur konform të gjitha rregullave dhe dozazhit që përdoret nga vaksina që rekomandohet. Ne nuk kemi humbje të vaksinës. Vazhdojmë të punojmë me humbje zero të vaksinës”, tha Bino.

Prof. Dhimitër Kraja u shpreh se 95% e rasteve të shtruara në spitalet COVID janë të pavaksinuar.

“Në spitalin Covid 1 dhe Covid 3 aktualisht janë 230 të sëmurë me Covid-19 të hospilalizuar në 9 njësi të disponueshme të tij. Kapaciteti është ende i pranueshëm. Ndër moshat e të sëmurëve janë shumë të larmishme, nga 19 vjeç deri në 89 vjeç, por mbizotëron grupmosha 50-65 vjeçare. Në këtë fazë ka shumë raste të grave shtatëzana që vijnë me Covid, një pjesë e të cilave janë dhe me forma serioze. Dua të vë në dukje se rreth 95% e rasteve janë pa pavaksinuar. Edhe ndër ata që janë të vaksinuar, pjesa dërrmuese janë me një dozë”, u shpreh prof. Kraja.

Prof. Gjerogjina Kuli, shefe e Pediatrisë Infektive u shpreh se, sa i takon fëmijëve të shtruar, situata është e qëndrueshme.

“Në këtë valë të re të COVID-it, kemi një rritje të ritmit të shtrimeve të fëmijëve me forma të mesme dhe të moderuara, por fatmirësisht situata klinike është nën kontroll, fëmijët reanimohen brenda disa ditëve na kanë dhënë mundësi që të mos tejkalojmë kapacitetet spitalore.

Deri tani ka pasur 360 fëmijë të hospitalizuar që na fillimi Pandemisë të cilët kanë rezultuar me komplikacione të ndryshme, por që kanë dalë të shëruar. Fatmirësisht shifrat e fatalitetit mbeten po ato që kemi dhënë vitin e kaluar dhe nuk kemi asnjë rast deri tani me komplikacione të rëndësishme postCOVID”, tha Kuli.

Në prezantimin e situatës epidemilogjike, prof.Albana Fico tha se situate mbetet e qëndrushme, duke bërë me dije se rastet e e reja ditore për javën e 38 kanë pësuar ulje mesatarisht në 847 nga 861.

Totali i rasteve aktive ka pësuar një rritje 12,745 nga 12,700 që i korrespondon një incidence, 458 për 100 mijë banorë. Sa i takon thirrjeve për ndihmë drejt numrit 127, drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha se ka pasur një ulje të tyre në ditët e fundit.

Masat në fuqi për kontrollin e situatës së epidemisë në vend mbeten si vijon:

Kufizimi i qarkullimit
dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 23:00-06:00.

Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë njërin nga këto tre kushte:

– Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

– Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

– Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritje në masën 5 miië lekë.

Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar. /abcnews.al/