Nga Vermoshi në Lëpardhja, Shqipëria ofron bukuri natyrore të veçanta dhe pak të eksploruara. Këtë verë që jemi të izoluar dhe pa asnjë mundësi për të vizituar vende të huaja, është ide e mirë, të zbulojmë bukuritë që atdheu ynë ofron. Prandaj frymëzohuni nga lista jonë dhe zgjidhni fshatin tuaj të preferuar.
Vermoshi- Kelmend
Është pika më veriore e Shqipërisë. Një fshat malor i Alpeve perëndimore që ndodhet 97 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit. Bukuria e natyrës shfaqet që në qafën e rrafshit. Peisazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i lumit të Cenit. Vermoshi ndodhet neë një pllajë 1100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura mali plot gjelbërim. Ngjitjet malore, shëtitjet, por dhe vetë peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat me terheqëse për të shijuar qëndrimin dhe bukuritë e fshatit Vermosh.
Valbonë- Tropojë
Valbona është një fshat malor që ndodhet 25 km larg Bajram Currit në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të alpeve të Shqipërisë. Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe Selimaj është qendra me e rëndësishme e banuar e luginës dhe njeherazi një nga pikat më turistike në Shqiperinë e veriut. Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbreslënëse, ku madheshtisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me shtëpitë shekulllore. Bujtinat e këndshme dhe ushqimi tradicional, peisazhet magjepsëse alpine , uji i kthjellët apo thjeshtë perëndimet e mrekullueshme apo ashpërsia e natyrës e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.
Thethi- Shkodër
Thethi ndodhet 75 km larg Shkodrës. Fshati i bukur alpin rrethohet nga malet që arrijnë deri në 2500 m lartësi duke ofruar pamje të mrekullueshme brenda dhe jashtë tij. Kullat shekullore te restauruara të rikthyera në stadin e tyre origjinal presin qindra turistë shqiptarë e të huaj. Kulla e Ngujimit e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historisë ndër shekuj. Teksa largohesh nga qendra e fshatit drjet bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit – lagjes më të vjetër të Thethit- mes lartësive të thepisura, të shpien drejt ujëvarës së Gurit të Zi që ndodhet 900 m lartësi mbi urën e drurit. Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit dhe shëtitjeve relaksuese. Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine dhe ushqimet karakteristike e bëjne Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në muajt e vjeshtës.
Lin- Pogradec
Lini është një fshat i mrekullueshëm që ndodhet në brigjet perëndimore të liqenit të Ohrit, 20 km nga qyteti i Pogradecit. Lugina e bukur ku ngrihen shtëpitë karakteristike të cilat shohin nga liqeni, përbëjnë një mjedis të mrekullueshëm ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara të njëri-tjetrit. Bazilika e fshatit që i përket shek të VII pas.K, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike ku peshku zë vendin kryesor dhe natyrisht liqeni janë atraksionet kryesore te fshatit për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e perditshmja e jetës së qytetit.
Voskopoja- Korçë
Një nga qendrat më të rëndësishme të historisë së ballkanit. Fshati ndodhet 20 km nga qyteti i Korcës dhe ngrihet mbi një pllajë 1160m mbi nivelin e detit. Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fund të shekullit të 18 me një popullis prej 30 mijë banorësh. Manastiri i Shën Prodhomit, por dhe kishat mesjetare ofrojnë piktura, murale dhe ikona të piktorëve dhe ikonografëve të rëndësishëm shqiptarë. Bukuritë e natyrës dhe historisë së pasur, u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për ata qe duan pushim të veçantë larg zhurmës dhe ritmit të qytetit.
Benjë- Përmet
Nëse vizitoni Përmetin qytetin e luleve, natyrisht që një destinacion tjetër i paevitueshëm është fshati Benja që ndodhet vetëm 13 km larg Përmetit. Shtëpitë e bukura dhe Kisha Ortodokse e shek 18, natyra e virgjër dhe ujërat termal e kanë kthyer fshatin në një destinacion të mrekullueshëm për gjithë vitin. Ura mbi lumin e Langaricës është një tjetër atraksion që paraprin kanionet e bukura të Langaricës. Benja njihet dhe për ushqimet karakteristike përmetare që iu japin shije ditëve të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit./Nga Zhaklin Lekatari