I nderuar lexues, ky vogëlush që shikon në foto është një gjeni.
Po, po…një gjeni i cili tanimë është pranuar në shoqatën botërore të gjenive “Mensa Internacional”.
Inteligjenca e tij është e të njëjtit spekter me atë të fizikantit Albert Ajnshtain!
Quhet Dionis Senjo, është vetëm 5 vjeç dhe është djali i një çifti onkologësh nga Tirana.
Dionisi, pasi na habiti me aftësitë e tij në astronomi, matematikë, gjeografi, kimi, anatomi, biologji, gjuhë të huaja etj… i është nënshtruar testit të inteligjencës dhe rezultoi mbi percentilin 99.9, pra më i rrallë se 0.1% i popullsisë duke u pranuar në shoqatën botërore të gjenive dhe duke u bërë kështu shqiptari i parë që pranohet në këtë organizatë. Testi është zhvilluar në praninë e një psikologu.
Fillimisht prindërit nuk e vunë re inteligjencën e tij duke menduar se “të gjithë fëmijët në ditët e sotme të tillë janë” por kur të tjerët nisën të befasoheshin prej tij, atëherë e kuptuan se fëmija i tyre ishte vërtet ndryshe.
Dionisi i vogël tani bën shumëzime me shumë shifra, ushtrimet e olimpiadës të matematikës së klasave 1 – 2 fillore i zgjidhte që 4 vjeç , ndërsa para pak kohesh ka shkruar një libër për sistemin diellor të cilin kërkon ta publikojë së shpejti. 5-vjeçari gjeni ka shumë dëshirë të shkruajë libra e t’i publikojë ato edhe në Amerikë.
Por si nisi gjithçka?
Ai ishte vetëm 1 vjeç kur mësoi shkronjat dhe numrat në shqip dhe në anglisht.
Pa kaluar ende disa muaj ai mësoi të lexojë rrjedhshëm në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht gjithashtu. Kur mbushi 2 vjeç, prindërit e Dionisit zbuluan se i biri kishte mësuar gjysmën e alfabetit rus edhe në formën e shkruar.
Prindërit u përpoqën ta ndalonin duke menduar se kjo nuk do të ishte e domosdoshme për të ardhmen e tij dhe e orientuan atë drejt alfabetit grek të cilin ai e mësoi në një pasdite të vetme, si në shkrim ashtu edhe në lexim.
Pa u mbushur një javë, ai mësoi të numëronte në greqisht deri në bilion. Në të njëjtën kohë ishte në gjendje të thoshte alfabetin anglez nga fillimi në fund dhe anasjelltas me të njëjtën shpejtësi e duke shkruar gjithçka që prindërit i diktonin.
Dionisi gjeni, di gjithashtu të shpjegojë të gjitha format gjeometrike i ndihmuar nga gjuha greke. Kur ishte 3 vjeç, ai nisi të lexonte me shpejtësi numra shumë shifrorë, deri në 40 shifra, në shqip dhe në anglisht.
Në po të njëjtën moshë, ai mësoi të gjitha planetet e sistemin diellor, yjet, galaktikat, gjeografinë e botës, flamujt e shteteve, lumenjtë, liqenet, malet dhe të gjithë elementët periodikë, anatominë e njeriut, e të gjitha llojet e dinosaurëve.
Lexon libra, kryesisht enciklopedi, pa u nxitur nga askush. Dionisi ka lexuar rreth 700 libra deri tani, 200 prej të cilave, enciklopedi angleze.
Prej tre vitesh, gjeniu 5 vjeçar mund të bëjë veprime matematikore me mbledhje, zbritje e madje edhe me numra negativë. Prindërit e kanë ndaluar të mësojë shumëzimin por siç thonë, ai i llogarit vetë sipas metodës së tij.