Vizita blic në Tiranë e sekretares britanike të për punët e brendshme Priti Patel, dhe nënshkrimi një marrëveshje me ministrin e punëve të brendshme Bledi Çuçi, ka ngjallur reagime të shumta në komunitetin shqiptar në Angli.
Top Channel ka siguruar një kopje të kësaj marrëveshje, ku me detaje janë renditur përgjegjësitë e palës shqiptare dhe asaj angleze.
E reja e kësaj marrëveshje ka të bëjë vetëm me shpejtësinë e lëshimit të lejeve të kalimit, për ata shtetas shqiptarë që kapen ilegalisht në shtetin ishull dhe ata të cilëve i kanë mbetur pak muaj nga kryerja e dënimit në burgjet angleze.
Kërkuesi, pra pala angleze thuhet në marrëveshje, i kërkon ambasadës shqiptare në Londër, që brenda 3 ditëve nga marrja e kërkesës, lëshon dokumentin e udhëtimit, ose në afatin maksimal 5 ditë pas marrjes së përgjigjes pozitive, për të dëbuar një person pa leje qëndrimi.
Pala angleze sipas marrëveshjes merr përsipër në raste të veçanta shoqërimin me roje sigurie apo personel mjekësor të personit apo personave që do të dëbohen.
Kjo marrëveshje nuk ka asnjë ndikim tek ata të cilët kanë mbërritur në Britaninë e Madhe sipas rregullave në fuqi të emigracionit.
Një marrëveshje e ngjashme Britani e Madhe-Shqipëri, është nënshkruar disa vite më parë kur Britania e Madhe ishte pjesë e BE.
Me daljen nga BE, Britania e Madhe kërkonte një marrëveshje të re bilaterale me Shqipërinë e cila u finalizua javën e shkuar.
Krahasuar me marrëveshjen e shkuar, kjo e reja, nënshkruar nga Priti Patel dhe ministri Bledi Çuçi thjesht përshpejtohet dëbimi shqiptarëve pa leje qëndrimi në Angli apo atyre që përfundojnë dënimet me burg.
Sipas ministrisë së brendshme angleze Home Office nga muaj Prill e deri më tani janë dëbuar 250 shtetas shqiptarë me precedentë penal.
Sakaq sipas statistikave të kësaj ministrie deri në muajin Gusht të 2019 në burgjet angleze ishin 876 shqiptarë por statistikat tregojnë se në Mars 2021 numri u dyfishua në 1,574.
Duke llogaritur koston vjetore prej 44.600 stërlina për mbajtjen në burg të një personi, shtetit anglez i duhet të shpenzojë 70 milion stërlina në vit, vetëm për të burgosurit aktual shqiptarë.