Teksa po i afrohej Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet protesta e opozitës, një person goditi me grusht Sali Berishën në fytyrë, duke e gjakosur.
Menjëherë ai u neutralizua nga truprojat e tij dhe mbështetës të tjerë, të cilët e rrahën personin duke e goditur me grushte dhe shkelma.
Sipas informacioneve të para dyshohet se personi është me probleme të shëndetit mendor. Ai është identifikuar si Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tepelena.
Pas goditjeve të marra nga truprojat e Berishës, Shehu është transportuar në spitalin e Traumës. Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se atje, ai është arrestuar nga efektivët e policisë.
Mësohet se ai iu afrua turmës me vrap dhe goditi edhe disa operatorë të mediave për t’i hapur rrugën para se të mbërrinte para kryetarit të PD, duke e goditur në fytyrë.